Shumë lule dhe shkurre janë mbjellë për t’i dhënë një pamje më të bukur Prishtinës. Por, ato nuk po e arrijnë këtë efekt për shkak të rritjes së barit dhe mosmirëmbajtjes së ishujve dhe rrethrrotullimeve nga ana e Komunës së Prishtinës.
Madje, me rritjen e tyre po e pengojnë edhe pamjen për veturat që kalojnë në rrethrrotullime.
Qytetarët thonë se mirëmbajtja e tyre është e nevojshme, për shkak të hijeshisë që jep gjelbërimi Prishtinës.
Komuna pranon se ka pasur vonesa në mirëmbajtjen e tyre. Drejtoria për Parqe arsyetohet se janë të fokusuar në mbjelljen e drurëve, proces që duhet të përfundojë para se të ketë thatësira.
“Është fakt se kemi pasur vonesa sa i përket pjesës së kositjes së barit apo mirëmbajtjes rreth ishujve dhe rrethrrotullimit. Krejt kjo ka ardhur për shkak se Drejtoria e parqeve e ka një kontratë për mbjelljen e drurëve dhe ne po synojmë që të përmbyllim këtë proces deri në fund të majit, për shkak se qershori, korriku dhe gushti nuk preferohen për mbjellje duke pasur parasysh edhe thatësirën që merr te ne. Për këtë kemi pasur vonesa. Por, me planin që kemi bërë me Hortikulturën kemi vendosur që kositjet të fillojnë gjatë javës së ardhshme, pasi rëndësi më e madhe i është kushtuar mbjelljes së drurëve, për të mos pasur degradim të atyre që i kemi blerë”, është shprehur Fatime Hajdari, drejtoreshë e Parqeve në Prishtinë.
Sipas drejtoreshës së Parqeve në Komunën e Prishtinës të gjithë punëtorët e Hortikulturës janë fokusuar në mbjellje dhe nuk ka pasur mundësi të bëhet kjo punë paralelisht.
“Numri i punëtorëve është ai që është dhe të gjithë janë të fokusuar në mbjellje dhe të njëjtit janë edhe për mirëmbajtjen e barit dhe për këtë bëjmë edhe një planifikim dhe në bazë të prioriteteve dhe në bazë të planit veprojmë. Ne paralelisht kemi pasur kositje nëpër parqe, pasi është e rëndësishme që ato të kositen dhe nuk guxojmë të tolerojmë që ato të kenë bari. Për këtë arsye u kemi kushtuar më pak kujdes ishujve dhe rrethrrotullimeve që nuk frekuentohen nga qytetarët”, ka shtuar ajo.
Komuna e Prishtinës për vitin 2021 ka ndarë 1.5 milionë euro për rregullimin dhe kultivimin e sipërfaqeve gjelbëruese të Prishtinës.