Arbëri

Banorët e “Dardanisë” në Prizren ankohen për telashet me infrastrukturën

Amvisëritë e bizneset në rrugën “Bajram Thaçi” në lagjen “Dardania” të Prizrenit kanë pësuar dëme nga vërshimet e fundit.

Banorët thonë se krahas reshjeve atmosferike, edhe telashet me infrastrukturën, kanë bërë që uji të depërtojë në bodrumet e tyre dhe hapësirat e punës.

Raif Uka thotë se vërshimi është shkaktuar nga bllokimi i përroit, sikurse edhe nga rruga, ku sipas tij, nuk ka pasur intervenime të duhura.

“Mbrëmë rreth orës 3 të mëngjesit jemi zgjuar dhe kemi vërejtur se kanë filluar bodrumet të mbushen me ujë. Shkaku vërshimet”, ka thënë Uka.

Ndërsa Reshat Gavaz nga lagja “Dardania” ka theksuar se ujërat që kanë depërtuar në bodrumin e tij kanë dëmtuar pajisjet shtëpiake. Ai ka kërkuar rregullimin e rrugës, përroit dhe kanalizimeve.

“Rrugën kinse e kanë ndrequr, me zall e kanë shtruar. E kanë mbyllur ‘Jaglenicën’, i kanë mbyllur kanalizimet. Uji krejt po shkon nëpër rrugë, nëpër zall”, është shprehur Gavazi.

Drejtori i Emergjencave në Komunën e Prizrenit, Faruk Dakaj, përmes rrjeteve sociale ka bërë të ditur se mbrëmë ka pasur vërshime në shumë vendbanime të kësaj komune, dhe se ekipet përkatëse janë në terren për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve.

Ai ka lutur ata për mirëkuptim dhe bashkëpunim me organet komunale dhe të sigurisë, për përballimin e kësaj sfide.