Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka folur për dyshimet për helmimin e rreth 120 personave në këtë komunë.
Ai ka thënë se në orët e fundit ka pasur një numër më të vogël të personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Ballazhi ka thënë se nga e marta do të furnizohen edhe me cisterna uji.
Ai ka thënë se ende nuk i kanë marrë rezultatet nga IKSHPK-ja, për të vërtetuar nëse uji ka qenë i kontaminuar.
“Ne kemi bërë përpjekje maksimale për t’iu dhenë shërbime primare qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë. Duhet të presim rezultatin të shohim nëse janë helmuar nga uji. Deri më tani mund të flasim vetëm për dyshime. Si dyshim kam që mund të jetë nga reshjet e fundit të shiut, por nuk mund të paragjykojë”, ka thënë ai.
Sipas tij, komuna ka probleme me barna dhe infuzione.
Ai ka thënë se është ofruar ndihma e nevojshme edhe nga Ministria e Shëndetësisë por edhe nga ajo e Punëve të Brendshme.
Edhe
Pas Kaçanikut, rreth 100 persona dyshohet se u helmuan nga uji i pijshëm edhe në Han të Elezit
Ai ka shtuar se kanë kërkuar më shumë staf shëndetësor, derisa thotë presin mbështetje.
“Unë nuk mund të them diçka me saktësi, pasi analizat nuk janë bërë, por ajo që është me rëndësi është se jemi duke menaxhuar situatën. Ne duhet të kemi kujdes si komunë, të bëjmë analizat e ujit”, ka thënë ai.