Ish-nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj kërkesave për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke thënë se përfitues nga këto rritje janë tregtarët e energjisë dhe humbës mbeten qytetarët e Kosovës.
Bajrami ka theksuar se kërkesa e KESCO-s për rritje të çmimit nuk është e vetme dhe as përfundimtare, pasi kërkesa të ngjashme, sipas saj, kanë paraqitur edhe operatorë të tjerë të sektorit energjetik, përfshirë KEDS, KOSTT dhe KEK, e kjo, sipas Bajrami, dëshmon për një presion të koordinuar që synon rritjen e barrës financiare mbi konsumatorët.
“E kam thënë edhe më herë, po e përsëris prapë se trashja e xhepave të tregtarëve të energjisë, pjesë e mafisë energjetike, bëhet duke u zbrazur xhepat qytetarëve. Kërkesa e KESCO-s për rritje të çmimit të energjisë nuk është as e vetmja e as definitive, pasi rritje çmimi sigurt kanë kërkuar edhe operatorët e tjerë: KEDS, KOSTT dhe KEK”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ajo ka rikujtuar edhe premtimin e kryeministrit Albin Kurti para ardhjes në pushtet, kur kishte deklaruar se energjia do të lirohej, duke qenë se Kosova ka kapacitete të mëdha energjetike.
“Sido që të jetë, mos e harroni kurrë premtimin e Albin Kurtit para se të vinte në pushtet, kur thoshte 'do ta lirojmë energjinë se është tepër e shtrenjtë kur rrimë mbi gjithë këtë energji'”, ka shtuar Bajrami.
Bajrami paralajmëroi se çdo rritje e çmimit të energjisë ka efekt zinxhir, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve dhe shërbimeve, çka e përkeqëson më tej gjendjen ekonomike të qytetarëve.
“Një gjë tjetër duhet ta kemi parasysh se sa herë që flitet për rritje të çmimit të energjisë, rriten çmimet e të gjitha artikujve. Pra, rritja e çmimit të energjisë ka gjithmonë efekt multiplikues dhe gjithmonë negativ. Dhe në fund mos harroni se 100 euro në kohë zgjedhjesh, shtesat për lehona, shtesat për fëmijë, shtesat për të moshuar dhe studentë janë pasojë e varfërimit të qytetarëve, jo rezultat i zhvillimit ekonomik. Ka ardhur koha që secili qytetar i këtij vendi të dalë kundër çdo vendimi të padrejtë të institucioneve publike dhe qeverisë”, ka theksuar më tej ajo.