Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka cilësuar si hipokrizi, korrupsion dhe gënjeshtrën më të madhe të qeverisë në detyrë për masën e subvencionimit të faturave të energjisë elektrike.
Bajrami ka theksuar se, ndërsa në tetor të vitit 2019 një familje mesatare ka paguar 54 euro për energji, e njëjta familje në tetor të vitit 2025 ka paguar 169 euro, që përbën rritje prej rreth 300% - duke ia bashkangjitur si ilustrim dy fatura (njëra e tetorit 2019 dhe tjetra e tetorit 2025). Sipas saj, subvencionimi i qeverisë nuk ka ndihmuar familjet, por ka favorizuar tregtarët e energjisë me të cilët ka lidhje të ngushta.
Ajo ka shtuar se rritja e çmimit të energjisë ka ndikuar edhe në bizneset prodhuese, ku çmimi i një megavati (mWh) ka shkuar nga 75 euro në 206 euro për një vit. Po ashtu, Bajrami ka përmendur importin e energjisë nga Kosova, duke theksuar se gjatë pesë vjetëve të qeverisë Kurti është arritur në 811 milionë euro, krahasuar me 273 milionë euro në periudhën 2015-2020.
Ish-deputetja e LDK-së ka kritikuar qeverinë se po i subvencionon xhepat e tregtarëve të energjisë, duke përdorur paratë e qytetarëve dhe të rinjve që janë larguar në mërgim.
Gjatë ditës së djeshme, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njoftoi se edhe sivjet po vazhdon mbështetja për familjet me të ardhura të ulëta përmes subvencionimit të faturave të energjisë elektrike.
“Qytetarët tanë, sidomos ata që kanë më së shumti nevojë, do ta kenë gjithmonë në krah qeverinë e tyre”, ka shkruar ai.