Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se në vitin 2026 mund të ketë sërish rritje të çmimit të energjisë elektrike. Siç ka thënë ajo, për 5 vjet, 2015-2020, Kosova ka importuar 273 milionë euro energji elektrike, e për 5 vjetët e qeverisjes Kurti janë importuar 811 milionë euro energji.
Bajrami i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që të hetojë “se kush nuk e ka kryer punën ose kush me qëllim ka ndihmuar kompanitë private që të lejohet gjithë kjo kosto e transportit dhe kjo sasi e importit të energjisë”.
“Sipas të dhënave të Doganës, derisa prej 2015-2020 Kosova ka importuar 273 milionë euro energji, me ardhjen e Kurtit për 5 vjet Kosova importon 811 milionë energji. A është kjo luftë kundër mafisë energjetike apo janë politika që e kanë trashë mafinë energjetike... Duke pa sasinë e importit që e kemi bë gjatë vitit 2025, të gjithë që kuptojnë pak nga tregu i energjisë e kanë të qartë që do e kemi një ngritje tjetër potenciale të çmimit të energjisë në vitin 2026 sepse gjithë kjo sasi e importit nuk është paraparë kur është bë aprovimi i të hyrave maksimale i operatorëve në tregun e energjisë”, ka thënë ajo.
Derisa ministrja në detyrë, Artane Rizvanolli, një ditë më parë ka thënë se asnjë zyrtar i Qeverisë dhe LVV-së nuk ka lidhje me kompaninë EFT të Vuk Hamoviqit, Bajrami ka thënë se ajo nuk ka mundur ta demantoj një gjë të tillë.
“Ajo (Rizvanolli) tha se Kosova nuk importon energji nga EFT-ja e Vuk Hamoviqit. Jo, Kosova në fakt në shumicën e rasteve ka importuar edhe energji nga NOA. Ajo që ne e kemi thënë në bazë të dhënave, shihet se EFT në vitet e fundit e ka monopolizuar tregun e kapaciteteve transmetuese të energjisë. E kush i paguan kostot e importit dhe eksportit të energjisë, normal se qytetarët përmes faturave. EFT-ja i ka fituar shumicën e ankandeve vjetore, mujore e ditore”, ka thënë ajo.
Bajrami ka bërë thirrje që qeveria në detyrë t’i bëjë publike kontratat e lidhura për import të energjisë elektrike. Ndërsa, u shpreh tutje se ka pasur abuzim të rregullave të tregut.
“Rizvanolli tha se Kosova nuk ka asnjë kontratë me EFT-në, por nuk po tregon se më kë ka kontrata. Bëjmë thirrje Rizvanollit, institucioneve, që t’i publikojnë kontratat që ne t’i dimë se prej kujt po blejmë energji, sa po blejmë, ku është origjina e energjisë dhe sa po paguan Kosova për kostot e transportit. Rizvanolli tha se qeveria nuk po importon energji, por qeveria kurrë nuk ka importuar energji. As atëherë kur Kurti fliste për mafinë energjetike. KEK-u ka importuar në një kohë, e tash importon KESCO/KEDS dhe entitete të tjera”, ka shtuar më tej.
Bajrami ka thënë se kjo qeveri në detyrë po bën “hajni” përmes faturave të energjisë.
“Hajnia më e madhe që po u bëhet qytetarëve të Kosovës gjatë këtij mandati është hajnia përmes faturave të energjisë. Për shkak të fakteve të publikuara këto ditë, VV është në panik”.