Avni Llumnica është shpallur fajtor për tentim-vrasjen e Azem Vllasit, rast i njohur si "Syri i Popullit".
Ai u shpall fajtor për ndihmë në vrasje të rëndë e mbetur në tentativë.
Kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli, ka thënë se i akuzuari Llumnica ka ikur në Maqedoni bashkë me Murat Jasharin pasi ky i fundit kishte tentuar ta vrasë Vllasin.
Llumnica u dënua me 4 vjet e 6 muaj. Ndërkohë, Sadri Ramabaja u lirua nga aktakuza pasi nuk është arritur të vërtetohet kryerja e veprës penale.
“I pandehuri Avni Llumnica është fajtor sepse më datën 13.08.2017 në Prishtinë në bashkëkryerje me të pandehurin Murat Jashari, ku i njëjti ka tentuar ta privojë nga jeta, tani të dëmtuarin Azem Vllasi, nga hakmarrja e paskrupullt dhe për shkak të motiveve të ulëta si ish-funksionar i Kosovës i viteve të 80-a që është konsideruar tradhtar i vendit... i pandehuri Avni Llumnica ka kontribuuar thelbësisht në kryerjen e veprës penale duke e ndihmuar Murat Jasharin në atë mënyrë që më datën 06.03.2017 me automjetin e tij të markës BMË me targa të Zvicrës e ka sjellë nga Zvicra në Kosovë”, ka thënë Konxheli.
Emri i organizatës “Syri i Popullit” u bë i njohur më 12 mars të vitit 2017, kur në orët e hershme të atij mëngjesi, Murat Jashari një aktivist politik i viteve të 90-ta, trokiti në derën e banesës së avokatit Azem Vllasi në Prishtinë, për ta vrarë atë.
Edhe
“Populli që shkroi historinë...” dhe Kosova e vetmuar
Menjëherë pasi Vllasi hapi derën, Murat Jashari shkrepi me armë zjarri duke tentuar që ta vriste Vllasin.
Pas pak kohësh nisën arrestimet e para ku pos Jasharit që kreu tentim-vrasjen u arrestua edhe Avni Llumnica. Këta dy persona u arrestuan nën akuzat se ishin pjesëtarë të organizatës “Syri i Popullit”, e cila mori përgjegjësinë për tentim-vrasjen e Azem Vllasit.
Murat Jashari pati vdekur më 3 mars të vitit të kaluar.