Arbëri

Autoritetet në aksion, hasen dallavere me kimikate

Autoritetet në aksion, hasen dallavere me kimikate

Ministri në detyrë i Mjedisit, Hysen Durmishi, ka njoftuar se ka nisur një inspektim i përbashkët me Ministrinë e Bujqësisë dhe atë të Tregtisë lidhur me importimin, tregtimin dhe përdorimin e kimikateve, biocideve dhe pesticideve.

Sipas tij, është konstatuar se disa operatorë kanë keqpërdorur sistemin e regjistrimit dhe i kanë paraqitur pesticide si biocide, përfshirë edhe substanca të ndaluara nga direktivat ndërkombëtare.

Ai ka thënë se janë marrë masa duke njoftuar se janë bërë auditime për mbi 100 lëndë, ndalim të importit dhe shpërndarjes apo përdorimit të këtyre substancave të rrezikshme e se është konfiskuar një sasi e kimikateve. Sipas tij, po ashtu janë shfuqizuar vendime të lejeve për import.

Durmishi në Facebook ka shkruar se autoritetet kanë “politikë me zero tolerancë ndaj çdo veprimi që cenon shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin”.

“Jeta dhe shëndeti publik janë mbi çdo interes tjetër. Prandaj, ftojmë institucionet e rendit dhe drejtësisë që të veprojnë me prioritet dhe seriozitet të plotë. Institucionet tona janë të gatshme për bashkëpunim të plotë, në mënyrë që ligji të zbatohet pa përjashtime dhe pa ndikime. Mesazhi është i qartë: askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë praktikë që rrezikon njerëzit, kafshët apo mjedisin nuk do të tolerohet”, ka shkruar ai.

Biocidet janë produkte kimike që përdoren për të shkatërruar ose kontrolluar organiza të dëmshëm në mjedise jobujqësore. Për shembull përdoren për sipërfaqe dhe ujë, apo edhe kundër mykut apo algave.

Ndërkaq pesticidet janë nënkategori që kryesisht përdoret në bujqësi për t’i mbrojtur bimët.

Përdorimi pesticideve në vend të biocideve mund të sjellë pasoja serioze, si në aspektin shëndetësor, po ashtu edhe atë mjedisor.