Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike, organizatat Pishtarët, EcoZ dhe Gjethi, kanë dorëzuar padi në Gjykatën Administrative në Prishtinë kundër Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor (MMPH), për vazhdimin e lejeve mjedisore për hidrocentralet Deçani dhe Belaja, të publikuara më 16 qershor.
Padia lidhet me procedurën për vazhdimin e lejeve mjedisore për hidrocentralet në Deçan. Qendra për Raste Gjyqësore në njoftimin për padinë ka thënë se ky rast nuk është vetëm një rast për dy leje mjedisore, por se ka të bëjë me mënyrën se si institucionet marrin vendime dhe nëse zëri i qytetarëve është marrë në konsideratë.
Përmes kësaj padie, organizatat kërkojnë që gjykata të anulojë lejet mjedisore për HC Belaja dhe HC Deçani dhe ta kthejë procedurën te diskutimi publik. Ato kërkojnë që Ministria të zhvillojë një konsultim publik të ri, duke i bërë të qasshme në kohën e duhur të gjitha dokumentet dhe informacionet me rëndësi dhe duke treguar në mënyrë të arsyetuar se si komentet dhe provat e qytetarëve janë marrë në konsideratë përpara marrjes së vendimit.
“Për vite me radhë, qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile kërkuan që publiku të ketë të drejtë të marrë pjesë në procedurat për lejet mjedisore. Kjo kërkesë lindi pas rastit të lëshimit të lejeve për hidrocentralet në Lumbardh të Deçanit në vitin 2020. Këto kërkesa u mbështetën edhe nga ministrja e sotme e Mjedisit në atë kohë si deputete dhe me pastaj kryesuese e Komisionit Parlamentar për Mjedis”, thuhet në komunikatë.
Organizatat sqarojnë se duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ të vitit 2025 për Lejet Mjedisore, diskutimi publik për lejet mjedisore për hidrocentralet në Deçan duhet të zbatohej.
“Duke besuar në këtë të drejtë, organizatat dhe aktivistët dorëzuan komente, analiza teknike dhe prova që ngritën çështje serioze lidhur me procedurën. Po ashtu, publikut nuk iu dha qasje në kohën e duhur në dokumente dhe informata me rëndësi, duke e bërë të pamundur një pjesëmarrje të plotë dhe të informuar. Përkundër se Ministria ishte në dijeni se procesi nuk po zhvillohej sipas ligjit, ajo vazhdoi me lëshimin e lejeve mjedisore për HC Deçani dhe HC Belaja pa u përgjigjur dhe pa i marrë në konsiderate komentet dhe provat e dorëzuara nga publiku”, thuhet në reagimin e organizatave.
Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike është platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike Politike (GLPS).
-
Puna në deponinë në Matiçan vazhdon, edhe pas gjobës që mori Komuna e Prishtinës
-
Inspektorati i Mjedisit gjobit Komunën e Prishtinës me 5000 euro
-
Ministria paralajmëron masa ndaj Komunës për deponinë në Matiçan
-
Pacolli: Prishtina bëri shkelje ligjore me menaxhimin e deponisë në Matiçan
-
Organizata EcoZ kërkon largimin e hidrocentraleve nga parqet kombëtare