Arbëri

Auditori gjen se në Prishtinë tenderë morën operatorë të papërgjegjshëm

Auditori i Pergjithshem (ZKA)

Komuna e Prishtinës ka përzgjedhur operatorë ekonomikë të papërgjegjshëm gjatë vlerësimit të ofertave në procedurat e prokurimit, ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditorit për vitin 2024.

Në Raportin për Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2024, thuhet se kjo ka ndodhur në të paktën tri raste. 

Në njërin projekt, atë për Tulltoren, kontrata në vlerë prej 1.2 milionë eurosh kërkonte që secili anëtar i grupit të dëshmonte përvojën e punës pesë vjet si inxhinier i diplomuar i arkitekturës. E gjatë auditimit është vërejtur se kanë munguar referencat e përvojës së punës. Po ashtu është vënë re se gjatë intervistave komisioni i vlerësimit ka analizuar vetëm konceptin dhe jo tërë dokumentacionin e ofertës. 

Rast tjetër ka qenë ndërtimi i rrugëve në lagjen Kodra e Trimave, në vlerë prej gati 600 mijë eurosh. 
Operatori Ekonomik fitues, tek kërkesat mbi mundësitë teknike dhe profesionale, duhej të dëshmonte se ishte certifikuar me ISO 9001-2015. 

Në raport thuhet se OE fituese në listën e certifikatave ISO kishte sjellë vetëm të anëtarit të katërt të konzorcimit, por jo edhe të anëtarëve të tjerë dhe anëtarit lider siç kërkohej. 

Pos, kësaj për disa pozita kyçe si menaxher projekti, inxhinier ndërtimi, inxhinier gjeodezie dhe inxhinier hidroteknik, ku kërkohej përvoja profesionale e dëshmuar me kontratë pune, kishte dorëzuar vetëm referencat mbi përvojën e punës e jo kontratat. 

E në rastin e tenderit për projektin “Renovime për Qendra të ndryshme Sociale në lagjet Kodra e Trimave, Tophane, Qafa, Aktash, Pejton, Ulpiana”, me vlerë 100 mijë euro, ishte kërkuar një kamion me kran dhe kiper me pesë bartëse minimum 2 tonë. 

Operatori Ekonomik fitues kishte ofruar pajisje me qira, por numri i shasisë në marrëveshje nuk përputhej me atë në librezë, duke dëshmuar se mjeti nuk ishte ai që është kontraktuar, thuhet në raport. 

Po ashtu kërkesa për një inxhinier elektronik me përvojë së paku 5 vjet pas diplomimit, nuk ishte dëshmuar në përputhje me specifikat e dosjes së tenderit. 

Në raport thuhet se këto mangësi kanë ndodhur për shkak të një procesi të dobët të vlerësimit nga komisionet përkatëse dhe se mungonte kuptimi i qartë i kritereve të përcaktuara në dosjet e tenderit, interpretimi korrekt i tyre dhe aplikimi në përputhje me kërkesat sipas dosjes. 

“Gjithashtu, u vërejt mungesë e kontrollit të brendshëm nga zyrtarët përgjegjës për të verifikuar përputhshmërinë e dokumentacionit dhe për të parandaluar nënshkrimin e raporteve të vlerësimit me gabime. Ndikimi Përzgjedhja e operatorëve ekonomikë që nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara mund të rezultojë në realizim me cilësi të dobët të kontratave publike, dëmtim të integritetit të procesit të prokurimit, mungesë sigurie për përmbushjen e detyrimeve të OE-ve, dhe humbje e mundësisë për tërheqjen e sigurisë së tenderit në rast të mos përmbushjes së kushteve kontraktuale”, thuhet në raport. 

Në rekomandim thuhet se kryetari duhet të sigurojë forcimin e kontrolleve në fushën e prokurimit, në mënyrë që vlerësimi i ofertave të bëhet në pajtueshmëri të plotë me kërkesat e vendosura në dosjet e tenderit dhe në pajtueshmëri me kërkesat ligjore. 

“Po ashtu, përmes zyrtarëve përgjegjës të sigurojë se anëtarët e komisioneve i kuptojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në angazhimet përkatëse, dhe në rast të gabimeve eventuale këto të evidentohen nga zyrtarët e prokurimit para nënshkrimit të raportit të vlerësimit”, thuhet në rekomandimi e ZKA-së në raport. 

KOHA ka dërguar pyetje të martën te Komuna e Prishtinës dhe Prokurori i Shtetit. Sapo të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet. Ndërsa ZKA-ja ka thënë se raporti ende nuk është publikuar. Ndërkohë në një sqarim të mëvonshëm ZKA-ja ka thënë se publikimi i raportit bëhet vetëm pas dorëzimit te subjekti i audituar dhe Kuvendi i Kosovës. Kjo zyrë ka thënë se publikimi i dokumenteve mbetet qëndrimi i vetëm zyrtar i tyre.
 

Lexo përditësimet tjera
Perparim Rama komuna

Shkeljet milionëshe që Auditori i gjeti në Komunën e Prishtinës

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur dhjetëra shkelje të kryera nga Komuna e Prishtinës në vitin...