Arbëri

Komuna e Prishtinës synon t’i çojë 2 milionë euro te kompani që OSHP-ja i shpalli të papërgjegjshme

Komuna e Prishtinës

Komuna e Prishtinës ka rekomanduar për kontratë prej rreth 2 milionë eurosh një grup të operatorëve ekonomikë, e të cilin Organi Shqyrtues i Prokurimit e pati shpallur të papërgjegjshëm. E ani se OSHP-ja e ktheu në rivlerësim tenderin “për ndërtimin, rregullimin, vendosjen dhe pastrimin e lumenjve dhe kanalizimeve për mbrojtje nga përmbytjet”, Komuna e Prishtinës nuk i zbatoi gjetjet e panelit shqyrtues

Komuna e Prishtinës, dy herë radhazi e rekomandoi për kontratë në vlerë rreth 2 milionë euro grupin e operatorëve ekonomikë, që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e pati shpallur të papërgjegjshëm.

Ani se në gushtin e kaluar OSHP-ja e ktheu në rivlerësim tenderin “për ndërtimin, rregullimin, vendosjen dhe pastrimin e lumenjve dhe kanalizimeve për mbrojtje nga përmbytjet”, Komuna nuk i zbatoi gjetjet e panelit shqyrtues të “Gjykatës së tenderëve”.

Më 31 dhjetor, ajo i rekomandoi për kontratë “DIGA Solutions L.L.C., ED – Construction SH.P.K., dhe IMK – Industria Metalike e Kosovës”, që ofertuan me 1 milion e 972 mijë e 300 euro apo gati gjysmë milioni më shtrenjtë sesa operatori ankues i eliminuar.

Kompani lidere është “Diga Solution”, që bazuar në të dhënat e ARBK-së, u regjistrua pesë muaj para se Komuna ta shpallë tenderin. Pronare dhe përfaqësuese e autorizuar e saj është Kaltrina Bajrami, që, sipas informatave publike të disponueshme, e ushtron profesionin e gazetares.

OSHP-ja konstatoi se operatori i rekomanduar për kontratë nuk i plotësoi kriteret e kërkuara në dosje të tenderit, përfshirë formularin për formim të grupit të operatorëve.

“GOE i rekomanduar përveç që ka dorëzuar deklarata individuale të ndara nga ‘Diga Solutions L.L.C’ (lider), ‘ED-Construction Sh.P.K’ (anëtar) dhe ‘IMK Sh.P.K’ (anëtar), të cilat: nuk kanë ofruar formularin standard të cilën e ka miratuar KRPP-ja dhe është obligative për të gjithë pjesëmarrësit që shprehin interesim për formimin e GOE... Nuk përmbajnë përqindjet e pjesëmarrjes, nuk përcaktojnë përgjegjësitë e secilit anëtar dhe sipas nenit 10.1 të Udhëzuesit Nr. 001/2023 (i ndryshuar me 002/2024), mungesa e këtij formulari standard është kusht administrativ eliminues. Pra, GOE i rekomanduar nuk ka përmbushur kërkesën ligjore për dorëzimin e marrëveshjes për themelimin e grupit, të miratuar nga KRPP-ja”, thuhet në vendimin e panelit shqyrtues të OSHP-së.

Kjo kompani, sipas OSHP-së, nuk dorëzoi dëshmi të autorizimit nga prodhuesi i produkteve, e që është kompani në Serbi dhe as për përputhshmërinë me standardet e kërkuara në dosjen e tenderit.

“Njëherësh, OE (operatori ekonomik v.j.) i rekomanduar për kontratë ka edhe mangësi tjera të cilat AK (autoriteti kontraktues v.j.) i ka marrë si të mirëqena përkundrazi që OE ka çmim shumë më të lartë sesa OE ankues. Në dokumentacion e OE të rekomanduar nuk është bashkangjitur asnjë dëshmi apo konfirmim nga vetë prodhuesi (Environment Solutions AsP) që vërteton statusin e “Solomon Consultants” si përfaqësues zyrtar apo distributor i autorizuar për produktet në fjalë. Kjo krijon pasiguri lidhur me përmbushjen e plotë të kërkesës së DT-së, e cila kërkon që autorizimi të lëshohet nga prodhuesi ose nga një distributor i dedikuar për projektin; GOE i rekomanduar nuk ka ofruar dëshmi të plotë për materialet PP dhe PE, siç është kërkuar”, thuhet në vendim.

E në “Diga Solution” nuk i komentuan detajet e procesit të tenderimit, porse thanë që lënda është në ankimim.

“Theksojmë se operatorët ekonomikë pjesëmarrës, përbërja e grupit, dokumentacioni teknik, certifikatat, autorizimet dhe specifikimet janë dorëzuar dhe janë shqyrtuar brenda procedurës së prokurimit, në përputhje me dosjen e tenderit dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjen e kësaj kompanie.

Bazuar në të dhënat e ARBK-së, pronar i “ED – Construction SH.P.K.”, si pjesë e konzorciumit, është Edin Berisha, i cili, sipas informatave të disponueshme publike, është arrestuar vitin e shkuar për vepra penale që lidhen me narkotikë. Në ARBK nuk figuron ndonjë email apo numër kontaktues i biznesit. Ai figuron pronar edhe i disa kompanive të tjera, në adresat elektronike të të cilave KOHA dërgoi pyetje lidhur me tenderin porse nuk mori përgjigje.

Përgjigje nuk ofruan as në “IMK – Industria Metalike e Kosovës SH.P.K.”, me pronar Emin Pacollin, që është vëlla i Behxhet Pacollit, dhe me drejtor menaxhues nipin e tij, Agon Pacolli.

Në Komunën e Prishtinës nuk u përgjigjën se pse nuk është respektuar vendimi i parë i OSHP-së.

Ky aktivitet i prokurimit u ankimua sërish më 16 janar nga kompania “Eing Com”, e cila, në grup operatorësh, pati ofertuar me çmim gati gjysmë milioni euro më të ulët dhe, bazuar në pretendimet e saj, lënda u kthye në rivlerësim.