Qeveria ka emëruar drejtor të Institutit të Kosovës për Administratë Publike, Hysen Muzliukajn. Përveç asamblist i Vetëvendosjes në komunën e Mitrovicës së Jugut, deri para dy vjetësh ai ka qenë edhe këshilltar i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci. Ka mbajtur edhe poste drejtori në Mitrovicë, gjatë kohës sa kryetar komune ishte Agim Bahtiri.
Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Hysen Muzliukaj, është emëruar të premten nga Qeveria në detyrë drejtor i Përgjithshëm në Institutin e Kosovës për Administratë Publike (IKAP).
Në këtë pozitë udhëheqëse, Muzliukaj është vënë ndonëse është renditur i dyti me pikë gjatë procedurave të rekrutimit. Ai aktualisht është asamblist në Komunën e Mitrovicës së Jugut, ndërsa ka mbajtur edhe pozita drejtuese. Në kohën kur komuna është drejtuar nga deputeti i tashëm i Vetëvendosjes, Agim Bahtiri, Muzliukaj ka qenë drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, e në një periudhë edhe drejtor i Administratës.
Më e vlerësuara nga procesi rekrutues është renditur Lule Isufi, për të cilën KOHA ka raportuar se si është caktuar katër herë ushtruese e detyrës së drejtoreshës së IKAP-it, me procedura të kundërligjshme nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. E vetë ministri që e ka propozuar emrin e Muzliukajt për drejtor, ka thënë se procesi është zhvilluar në mënyrë profesionale.
“Komisioni i pranimit, i themeluar nga Qeveria e Kosovës, ka kryer vlerësim profesional të kandidatëve dhe ka rekomanduar kandidatët që i plotësojnë kriteret për emër në këtë pozitë të rëndësishme”, ka deklaruar Sveçla.
KOHA ka provuar që të kontaktojë me drejtorin e emëruar të IKAP-it, porse ai gjatë së premtes ka qenë i paqasshëm. Përveç në nivelin lokal, Muzliukaj ka pasur pozitë edhe në nivelin qendror.
Deri në korrik të vitit 2023, ai ka qenë këshilltar i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, por pas ndalimit nga Prokuroria nën dyshimet për korrupsion, ai është liruar nga detyra.
Në anën tjetër, me vendim të Qeverisë është pezulluar nga puna sekretari i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Besim Kamberaj. Në qeveri, vendimin e kanë arsyetuar me ngritjen e aktakuzës ndaj tij për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve të tij zyrtare.
I akuzuar së bashku me Kamberajn për keqpërdorim të pozitës zyrtare është edhe ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka. Ai ka qenë prezent në mbledhjen e Qeverisë dhe ka votuar pro pezullimit të sekretarit të ministrisë që e drejton.
Në mesin e vendimeve të marra të premten është edhe emërimi i Shemsi Duriqit në krye të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, ndarja e 1.9 milion eurove për rinovimin e stadiumit “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ndarja e 178 mijë eurove për Komunën e Podujevës dhe e 118 mijë euro për Komunën e Shtimes për përmirësimin e menaxhimit të ujërave të zeza.
Qeveria në detyrë ka vendosur edhe për rialokimin e 3 milionë eurove për 28 projekte në 16 komuna.
40 mijë euro janë ndarë edhe për mbështetjen e familjeve të dy zjarrfikësve Sefadin Osmanaj dhe Kaqun Lima, të cilët kanë humbur jetën në krye të detyrës.