Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes “Ibër-Lepenci” nën dyshimin për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” në kohën sa ka qenë nënkryetar i Komunës së Mitrovicës.
Ai dhe ish-drejtori për Gjeodezi, Hysen Muzliukaj, akuzohen se më 2021 i kishin shkaktuar dëm prej 125 mijë euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
“Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Mujka, pos akuzës për keqpërdorim detyre, akuzohet edhe për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se e ka propozuar edhe shqiptimin e dënimeve plotësuese ndaj të pandehurve.
Mujka ishte arrestuar në korrik të 2023-s dhe ishte dërguar në mbajtje për 48 orë. Atë kohë, Policia pati kryer edhe bastisje dhe pati sekuestruar 60 mijë euro.
KOHA pati raportuar më 2022 se si Mujka është zgjedhur kryeshef ekzekutiv pa e përmbushur një pikë të konkursit, e cila u kërkonte kandidatëve që në 36 muajt para aplikimit të mos ishin bartës të ndonjë posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike. E njëjta përmbajtje ndodhej edhe në deklaratën nën betim që e ka firmosur Mujka, të cilën çdo kandidat gjatë aplikimit për pozitën si kryeshef duhet ta nënshkruajë, ani se deri vonë e ka drejtuar degën e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë.
KOHA ka tentuar të marrë një përgjigje nga Mujka dhe Muzliukaj për rastin. Sapo të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.