Kryeshefi i ndërmarrjes “Ibër Lepenci”, Faruk Mujka, e drejtori i Institutit të Kosovës për Administratë Publike, Hysen Muzliukaj, akuzohen nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Mujka e Muzliukaj dyshohet se i kanë shkaktuar dëm AKP-së në vlerë prej 125 mijë e 100 eurosh
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj dy zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Faruk Mujka, aktualisht kryeshef i ndërmarrjes “Ibër Lepenc” e Hysen Muzliukaj, drejtor i Institutit të Kosovës për Administratë Publike, dyshohen se gjatë ushtrimit të funksioneve në Komunën e Mitrovicës së Jugut kanë dëmtuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit në vlerë prej 125 mijë e 100 eurosh.
“Të pandehurit akuzohen se, F.M., në pozitën e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe H.M., si drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas aktakuzës, në prill të vitit 2021, Mujka e Muzliukaj kanë paraqitur një pronë të paluajtshme si komunale, ndonëse kanë qenë në dijeni se ajo është shpallur me interes publik.
“Sipas aktakuzës, më 25.4.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme i paraqitën po këtij kuvendi një propozim-vendim për këmbimin e së njëjtës pronë, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 eurosh Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Përveç për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Faruk Mujka akuzohet edhe për veprën penale.
“Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.
KOHA ka provuar të kontaktojë me dy zyrtarët e dyshuar, Faruk Mujkën e Hysen Muzliukajn, por të mërkurën nuk ka marrë përgjigje nga ta.
E avokati i Muzliukajr, Ahmet Tahiri, ka thënë se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale është turp për drejtësinë në Kosovë dhe se klienti i tij do të shpallet i pafajshëm.
“Ajo që ka ndodhur sot me aktakuzën e ngritur ne rastin e njohur si Mujka etj.. nga Prokuroria Speciale është turp për drejtësinë në Kosovë. Klienti im Hysen Muzliukaj po akuzohet lidhur me një vendim të Kuvendit Komunal, i cili ka kaluar nëpër pesë filtra institucionalë: Drejtoria e Urbanizmit, Zyra e Kryetarit të Komunës, Kuvendi Komunal, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Ministria e Financave. Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka konstatuar se në këtë rast mungon dyshimi i bazuar që klienti im ka kryer ndonjë vepër penale. Kjo është konfirmuar si nga Gjykata e Apelit, ashtu edhe nga Gjykata Supreme. Jam i bindur se epilogu i kësaj çështjeje do të jetë shpallja i pafajshëm i klientit tim”, ka thënë avokati Tahiri.
Mujka është emëruar kryeshef në ndërmarrjen “Ibër Lepenci” në dhjetor të 2022-tës, derisa Muzliukaj në krye të IKAP-it në fillim të gushtit të këtij viti.