Në një debat kushtuar zgjerimit të BE-së të zhvilluar në Bruksel në Qendrën për Studimin e Politikave Evropiane (CEPS), ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, por edhe Drejtori i përgjithshëm i Komisionit Evropian për zgjerim, Jan Kopman, janë shprehur se raportet mes Kosovës dhe BE-së kanë mundur të jenë më të frytshme dhe se ka pasur ngecje në këtë drejtim. Por ata i kanë parë ndryshe arsyet për këtë situatë.
Përderisa Barjami ka thënë se nuk ka pasur sa duhet shtytje nga Komisioni Evropian që të ecet drejt dhënies së statusit të kandidatit për Kosovën dhe në heqjen e masave, Kopman është shprehur se pengesa kryesore ka qenë fakti se Kosova nuk ka qeveri që nga shkurti dhe Bashkimi Evropian nuk ka pasur me kë të negociojë në mungesë të një qeverie pas zgjedhjeve.
Drejtori i përgjithshëm për Zgjerim, Kopman, përmendi rastet e Shqipërisë dhe Malit të Zi, dy vendeve kandidate që kanë avancuar në procesin e negociatave të anëtarësimit. Ka kërkuar që edhe Kosova të fokusohet dhe ka thënë se Komisioni, sipas tij, tashmë është në procesin e heqjes së masave ndaj Kosovës.
“Ne në Komision jemi në proces të heqjes së masave pas një diskutimi tejet të vështirë në Këshillin e BE-së vitin e kaluar. Ne do të ishim të gatshëm, natyrisht, të përgatisim mendim mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim. Por për këtë Këshilli duhet të na ftojë. Kosova duhet të reflektoj se pse vendet anëtare në Këshill nuk po e bëjnë një gjë të tillë”, ka thënë Kopman.
Ambasadori Bajrami, duke reaguar në këtë, tha se Kosova ka qeveri, ndonëse qeveri në detyrë, por nuk është shtet pa qeverisje, ndërsa periudha kohore në të cilin BE është dashur të avancoj me rastin e Kosovës është shumë më e gjatë sesa ajo nga zgjedhjet e shkurtit e deri më sot. Ai po ashtu ka përsëritur qëndrimin e Kosovës se masat ndëshkuese ishin të padrejta dhe të panevojshme dhe se ato u vendosen për shkak të veprimeve për të vendosur sundimin e ligjit.
“Këto masa nuk ishin përgjigje ndaj ndonjë regresi të Kosovës në proceset demokratike. Duhet t’ua rikujtoj të gjithëve se këto masa erdhën pas një situate të veçantë në veri, e cila, nga perspektiva jonë, kishte të bënte me zbatimin e sundimit të ligjit dhe sigurimin që institucionet po ruajnë rendin kushtetues”, ka thënë në diskutim Bajrami.
Në këtë diskutim morën pjesë edhe ambasadorët nga Shqipëria, Mali i zi dhe Moldavia.