Se Kosova nuk është fajtore e vetme për raportet e acaruara me BE-në në tre vjetët e fundit, e thonë edhe shumë diplomatë në BE. Por nuk ka dyshim se Kosova është e vetmja që ndien pasojat nga kjo. BE-ja duhet të ketë një qëndrim më miqësor ndaj Kosovës, të mos veprojë në bazë të frustrimeve dhe arrogancës personale të disa zyrtarëve të saj, por të ndjekë një politikë më konsistente. Qeveria e re e Kosovës duhet po ashtu ta kthejë besimin e BE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Tash është koha për një “reset” në këto raporte
Raportet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian në tre vjetët e fundit nuk kanë qenë fare miqësore. Nuk kanë qenë as “mospajtime mes miqsh”. Kosova ka qenë nën sanksionet të mëdha të BE-së, që shprehur në shifra, shkon deri në 500 milionë euro sa ishin fondet që iu bllokuan Kosovës. Kosovën nuk e vizituan zyrtarët e lartë të BE-së në vizita bilaterale e as nuk I takuan zyrtarët e Kosovës në Bruksel. Përjashtim ishin vizitat në kuadër të turneve rajonale apo takimet në forume të përbashkëta. Ja për shembull as pas 14 muajsh sa është në postin e komisioneres për zgjerim Marta Kos, nuk e ka vizituar akoma Kosovën. Askush nga Kosova, madje as nga Shoqëria civile, nuk u ftua në “Forumin e zgjerimit” në Bruksel, ngjarjen që vetë komisionerja Kos e quajti si “Flagship event”, ngjarje kryesore vjetorë për zgjerimin. Aty ishin qindra pjesëmarrës nga shumë shtete e madje politikanët antiperëndimorë nga Serbia si Ana Brnabiq ndër folësit kryesorë dhe mysafirët e nderuar. E tërë kjo nuk ka qenë normale, prandaj edhe përdorimi i termit “normalizim i raporteve mes Kosovës dhe BE-së” nuk do të ishte i tepruar.
Pas konstituimit të shpejtë të Kuvendit të Kosovës dhe formimit të qeverisë nga BE-ja nxituan të urojnë kryeministrin Kurti dhe të shprehin gatishmërinë për ta mbështetur Kosovën në atë që në Bruksel quhet “rrugëtimi evropian”.
Nga Bashkimi Evropian u shprehen se presin “një fillim të ri” në raportet me Kosovën pas një periudhe gjatë së cilës ka pasur mjaft mospajtime dhe madje edhe konfrontime. Në reagimet e para të përfaqësueses së Lartë Kaja Kallas dhe komisioneres për zgjerim Marta Kos, u pa një vullnet për një dinamikë të re në raporte pas formimit të qeverisë së re me një shumicë stabile në Kuvend. Marta Kos paralajmëroi vizitë sa më të shpejtë në Kosovë,.
Një zëdhënës i BE-së duke u përgjigjur në pyetjet se cilat janë pritjet nga Qeveria e re e Kosovës, përmendi kryesisht dialogun me Serbinë, përfitimet e Kosovës nga plani i rritjes dhe rikthimin e fokusit të Kosovës në reformat evropiane. Në Bruksel besojnë se shumica stabile të cilën qeveria e re e ka në Kuvendin e Kosovës do të ofrojë një përparësi e cila do të ndihmojë që qeveria t’i qaset punës me përkushtim më të madh dhe të përmbushë edhe ato obligime që kërkojnë kompromise.
Nga të gjitha këto reagime duket sikur në BE vërtet kanë një vullnet për një fillim të ri në raportet me Kosovën. Ndoshta nuk do ta pranojnë publikisht, por edhe zbulimet për lidhjet e ish-të dërguarit të posaçëm për dialog Miroslav Lajçak me Rusinë, humbja e plotë e kredibilitetit të tij dhe fakti se ai e ka diktuar në masën më të madhe politikën e BE-së ndaj Kosovës në 5 vjetët e fundit ka ndikuar që BE të ndërrojë qasjen. Kësaj mund t’i shërbejë edhe ndryshimi në personelin e BE-së që merret me rajonin, edhe pse ish-bashkëmendimtarë dhe bashkëpunëtorë të Lajçakut akoma ka në nivele të larta në Drejtorinë e përgjithshme për Zgjerim, ku akoma kërkohen edhe arsyetime më të imta për të vonuar edhe më shumë heqjen e masave ndaj Kosovës.
Diplomatët në BE thonë se, për dallim nga Lajçaku, i cili kryesisht fajësonte Kosovën për dështime në dialog, pasardhësi i tij në këtë postë Peter Sorensen, është profesional dhe i paanshëm e objektiv në raportimet e tij para vendeve anëtare.
Se Kosova nuk është fajtore e vetme për raportet e acaruara me BE-në në tre vjetët e fundit e thonë edhe shumë diplomatë në BE. Por nuk ka dyshim se Kosova është e vetmja që ndien pasojat nga kjo. BE-ja duhet të ketë një qëndrim më miqësor ndaj Kosovës, të mos veprojë në bazë të frustrimeve dhe arrogancës personale të disa zyrtarëve të saj, por të ndjekë një politikë më konsistente. Qeveria e re e Kosovës duhet po ashtu ta kthejë besimin e BE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Tash është koha për një “reset” në këto raporte.
Qeveria e Kosovës nuk duhet të bazohet shumë ën faktin se “ka pasur të drejtë” dhe të ndjekë politikën e inatit ndaj BE-së. Kjo nuk do t’i sjellë Kosovës asgjë, sikurse nuk i ka sjellë as deri tash. Një qasje e tillë e ka lënë Maqedoninë e Veriut 20 vote prapa. Një qasje të tillë e kishin provuar edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur “për inat të BE-së” nisën “Ballkanin e hapur”. Shqipëria avancoi në mënyrë dramatike, duke i hapur për një kohë rekorde të gjithë kapitujt, kur iu kthye seriozisht raporteve me BE-në në vend të aventurave me Serbinë, ndërsa Serbia ngeci pa hapur asnjë kapitull për më shumë se katër vjet, duke refuzuar çdo kërkesë nga BE-ja dhe duke menduar se BE-ja duhet t’i përshtatet Serbisë, e jo Serbia Kosovës.
Në BE janë kureshtarë të shohin se cili departament në qeverinë e re do të merret me Bashkimin Evropian. Pas një kohe të gjatë Kosova nuk do të ketë një ministri të veçantë, e cila do të merret me integrimet evropiane. Vërtet ishte e tepruar kur para shumë vjetësh Kosova kishte Ministri të integrimeve Evropiane, edhe pse ato integrime ishin joreale. Tash kur gjasat do të duhej të ishin më të mëdha, nuk ka një ministri të tillë.
Sidomos duket e çuditshme pse në një mega qeveri me 19 ministri nuk pati vend për një e cila do të merret me integrimet evropiane. Normalisht kjo detyrë do të duhej t’i jepej Ministrisë së Jashtme. Sepse integrimi në BE para së gjithash është një proces politik dhe ai do të duhej të koordinohej nga një adresë e vetme. Natyrisht se secila Ministri do të ketë detyrime që në fushëveprimin e saj të punojë në arritjen e standardeve evropiane. Por BE-ja duhet ta ketë një adresë të vetme e cila do të shërbente si një pikë kontakti dhe komunikimi për të mbajtur nën mbikëqyrje procesin e përgjithshëm. Tash duhet të shihet nëse do të formohet ndonjë zyrë e veçantë në kuadër të Qeverisë e cila do të merrej me integrimet evropiane. E njëjta vlen dhe për dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë, proces i cili është pjesë përbërëse i integrimit evropian. BE-ja nuk dëshiron të ketë ndikim se kush dhe si në emër të Kosovës do të jetë përgjegjës për integrimet evropiane, por gjithsesi dëshiron të dijë se ku mund të drejtohet për të bashkëvepruar në këtë drejtim. Prandaj, edhe kjo duhet të sqarohet sa më parë nga Qeveria e Kosovës, sepse Kosova ka nevojë për ta kompensuar kohën e humbur. Nëse Kosovës nuk i ngutet, aq më pak do t’i ngutet BE-së.