Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Rajon

Incident para samitit në Tivat: Mali i Zi dëbon 87 serbë, Serbia ndalon qytetarë malazezë

Serbët të cilët u ndaluan nga autoritetet malaziase në aeroportin e Tivatit

Serbët të cilët u ndaluan nga autoritetet malaziase në aeroportin e Tivatit / FOTO: Vijesti

Në prag të Samitit Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor që mbahet nesër (e premte) në Tivat, marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Serbisë janë tensionuar pas një serie incidentesh që kanë ngritur shqetësime për sigurinë.

Autoritetet malazeze dëbuan dje 87 shtetas serbë, të cilët mbërritën në aeroportin e Tivatit me një fluturim çarter me aeroplanin “Air Serbia”. Sipas shërbimeve të sigurisë së Malit të Zi, grupi konsiderohej rrezik për sigurinë kombëtare, pasi disa prej anëtarëve të tij kishin marrë pjesë në tubime me rrezik të lartë sigurie, ndërsa të tjerë rezultonin të përfshirë në vepra penale dhe kundërvajtje me elemente dhune.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas “Vijesti”, gjatë kontrollit u sekuestruan pankarta me sloganin e Partisë Progresive Serbe (SNS) “Serbia fiton”, si dhe pajisje komunikimi në distancë dhe një radio-stacion detar. Dy autobusë me targa serbe, që dyshohet se do të përdoreshin për transportin e grupit, u konfiskuan gjithashtu.

Ndërkohë, menjëherë pas këtij incidenti, rreth 30 shtetas malazezë u ndaluan për disa orë në aeroportin e Beogradit pas mbërritjes së një fluturimi nga Podgorica, duke shtuar më tej tensionet mes dy vendeve.

Shumë nga personat e dëbuar nga Mali i Zi janë cilësuar nga media, aktivistë dhe opozitarë në Serbi si individë të afërt me SNS-në dhe me strukturat që kanë qenë të përfshira në përballjet me protestat studentore, incidentet në ngjarje sportive dhe aktivitete të tjera të diskutueshme në Serbi.

Samiti i nesërm në Tivat pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme diplomatike në historinë e Malit të Zi. Në të do të marrin pjesë liderë të lartë evropianë dhe rajonalë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministren italiane Giorgia Meloni, kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Edhe Kosova është e ftuar.

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, deklaroi së fundmi se vendi është përballur muajt e fundit me veprime që synojnë të pengojnë rrugën e tij evropiane, duke përmendur bashkëveprim mes faktorëve të huaj politikë dhe grupeve të krimit të organizuar, pa dhënë emra konkretë.

Nga ana tjetër, Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë (BIA) njoftoi se i kishte rekomanduar presidentit Aleksandar Vuçiq të mos udhëtonte në Tivat për shkak të rrezikut të lartë të sigurisë. Sipas BIA-s, autoritetet malazeze nuk kishin ndarë me kohë vlerësimet e kërkuara të sigurisë për samitin. Megjithat, autoritetet malazeze kanë garantuar se siguria do të jetë në nivel për secilin lider që do të marrë pjesë në samit. 

Gazetarja serbe Vera Didanoviq, duke komentuar incidentin, ka thënë për “Vijesti” se është e vështirë të besohet se një operacion i tillë do të organizohej në mënyrë kaq të dukshme nëse synimi do të ishte fshehja e tij. Sipas saj, mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një dështim serioz organizativ apo për një veprim të qëllimshëm me mesazh politik, drejtuar Malit të Zi, Bashkimit Evropian apo opinionit publik në Serbi.

Deri tani, presidenti, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri i Malit të Zi nuk kanë bërë deklarata të detajuara mbi incidentin. Zëvendëskryeministri Aleksa Beçiq u shpreh se reagimi i institucioneve në aeroportin e Tivatit dëshmoi se sistemi i sigurisë funksionon dhe se rreziqet identifikohen dhe neutralizohen në kohë.

Vuçiqi pas paralajmërimit të BIA-s për të mos udhëtuar në Mal të Zi: S’kam frikë nga kërcënimet

1 j. më parë / 4 qer 2026 11:13
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se nuk ka frikë nga kërcënimet, pasi Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) i rekomandoi të mos udhëtonte në Mal të Zi për arsye sigurie.

Paralajmërimi i BIA-s erdhi pas informacioneve operative sipas të cilave Radoje Zvicer, i konsideruar lider i klanit kriminal të Kavaçit, ndodhet aktualisht në Mal të Zi. Vuçiq pritet të marrë pjesë në samitin BE – Ballkani Perëndimor që mbahet nesër në Tivat, pavarësisht paralajmërimeve nga BIA. 

Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiqi reagoi ndaj kërcënimeve duke publikuar një mesazh me mbishkrimin: ‘Hiqjani kokën Vuçiqit’.

“Nuk jam as i frikësuar dhe as i impresionuar nga kërcënimet. E vetmja gjë që më intereson është se si qytetarët tanë të jetojnë më mirë dhe si Serbia të bëhet edhe më e suksesshme”, shkroi presidenti serb.

BIA njoftoi zyrtarisht se i kishte rekomanduar kreut të shtetit të mos udhëtonte drejt Malit të Zi për shkak të rrezikut të lartë të sigurisë.

“Për shkak të veprimtarive armiqësore të shërbimeve të huaja dhe grupeve kriminale në Mal të Zi, Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit i ka rekomanduar zyrtarisht presidentit të Republikës së Serbisë të mos udhëtojë në Mal të Zi, pasi është konstatuar ekzistenca e një rreziku të lartë sigurie. Sipas njohurive tona operative, Radoje Zvicer, lideri i klanit të Kavaçit, ndodhet në Mal të Zi”, thuhet në deklaratën e BIA-s.

Samiti i Komunitetit Politik Evropian mbledh liderët e vendeve dhe institucioneve evropiane dhe konsiderohet një nga ngjarjet politike më të rëndësishme në kontinent.

Në prag të samitit, Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi deklaroi se do të bëjë gjithçka për të pritur “miqtë, aleatët dhe partnerët” në nivelin më të lartë dhe për të garantuar zhvillimin e suksesshëm dhe dinjitoz të kësaj ngjarje të rëndësishme.

Ndërkohë, Policia e Malit të Zi njoftoi se masat e sigurisë në të gjithë vendin janë ngritur në nivelin më të lartë.