Qeveria në detyrë e Kosovës ka shprehur pakënaqësi ndaj qëndrimit të Bashkimit Evropian, që kushtëzon heqjen e masave ndëshkuese me formimin e ekzekutivit të ri. Premtimet BE-së deri vonë kanë qenë se masat do të hiqen me t’u inauguruar me sukses kryetarët e komunave në veri. Në Qeveri kanë thënë se çdo zvarritje tjetër për heqjen e masave cenon kredibilitetin e BE-së
Qeveria e Kosovës është deklaruar e zhgënjyer që Bashkimi Evropian nuk i qëndroi prapa paralajmërimit për heqjen e masave pas transferimit të suksesshëm të pushtetit lokal në veri. Dy ditë më parë Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmëri të angazhohet për heqjen e masave ndaj Kosovës, por vetëm pasi të formohet qeveria e re, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Kushtëzimi i heqjes së masave ndëshkuese nga BE-ja me zgjedhjet parlamentare është vlerësuar i paarsyeshëm nga ekzekutivi. Në një përgjigje për KOHËN, Klisman Kadiu, këshilltar për media në Zyrën e zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, ka thënë se zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk kanë asgjë të përbashkët me procesin e heqjes së masave nga BE-ja. Ai ka thënë se Kosova e ka përmbushur kushtin e vendosur nga Bashkimi Evropian.
“Së fundmi Komisioni Evropian konstatoi në Raportin për Vendin, në fillim të muajit të kaluar, se masat do të hiqen pas zgjedhjeve lokale dhe transferimit të suksesshëm të pushtetit në katër komunat në veri. Edhe kjo tashmë ka ndodhur, në mënyrë paqësore, ligjore dhe pa asnjë incident. Çdo zvarritje tjetër vetëm sa e thellon absurditetin e masave dhe e cenon kredibilitetin e BE-së. Qëndrimi ynë është që masat duhet të hiqen menjëherë dhe plotësisht. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë nuk kanë asnjë lidhje me këtë proces”, ka thënë Kadiu.
Kadiu ka shtuar se masat u vendosen padrejtësisht ndaj Kosovës.
“Kur janë vendosur masat ndaj Kosovës, ato fillimisht kanë qenë të padrejta. Tash e një kohë të gjatë ato nuk kanë më as kuptim dhe as bazë me realitetin në terren. Në vitin 2024, vetë Josep Borrell, atëkohë përfaqësues i lartë i BE-së, kishte rekomanduar heqjen e masave. Megjithatë, veprimet e para drejt largimit të masave u ndërmorën vetëm në mesin e vitit 2025, kur edhe filloi heqja graduale e tyre”, është shprehur ai.
Analisti politik, Arbnor Sadiku, ka thënë se Bashkimi Evropian i njeh arritjet e Kosovës në aspektin e përmbushjes së kushtit për heqjen e masave, porse në këtë drejtim synon të punojë me Qeverinë e re, meqë aktualja është pa legjitimitet.
“Sigurisht se ata konsiderojnë se kjo qeverisje aktualisht nuk e ka legjitimitetin e duhur, sepse nuk është formuar nga zgjedhjet e fundit që u mbajtën në Kosovë, andaj për të qenë një qeverisje edhe legale dhe legjitime ajo duhet të burojë nga zgjedhjet e reja parlamentare”, ka thënë Sadiku.
KOHA ka mësuar se Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, në takimin e fundit kanë kundërshtuar heqjen e masave ndaj Kosovës. Franca ka shprehur dyshime nëse kanë qenë të sinqertë hapat që janë ndërmarrë nga palët për depërshkallëzimin në veri gjatë vitit 2025. E Italia, sipas diplomatëve ka shprehur qëndrimin se duhet pritur përfundimin e zgjedhjeve të dhjetorit para se të avancohet me heqjen “graduale” të masave.
Siç është informuar KOHA, së paku 13 shtete të BE-së kanë kërkuar që ato të hiqen. Për heqjen e masave, sipas burimeve diplomatike, në këto takime janë angazhuar Gjermania, Sllovenia, Kroacia, Estonia, Luksemburgu, Belgjika, Holanda, Finlanda, Malta, Austria, Irlanda, Polonia dhe Suedia. Disa prej tyre kanë kërkuar që masat të hiqen menjëherë. Disa i kanë quajtur si absurde dhe kanë bërë thirrje që masa të tilla në të ardhmen të evitohen. Gjermania ka thënë se heqja duhet të ndodhë duke marrë parasysh transferimin e pushtetit lokal në veri. Diskutimi ka ndodhur para se të ndodhte betimi i kryetarëve të komunave në veri.
Edhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së (EEAS) është shprehur për heqjen e masave ndaj Kosovës.