Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se një marrëveshje për t’i dhënë fund përplasjeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të nënshkruhet të dielën, megjithëse Irani ka shprehur dyshime lidhur me afatin kohor të saj.
Në një postim në rrjetet sociale, Trumpi tha se Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global, do të jetë “e hapur për të gjithë” sapo marrëveshja të hyjë në fuqi.
Të shtunën, Pakistani, i cili ka luajtur rol kyç si ndërmjetësues në negociata, deklaroi se marrëveshja “ka gjasa të finalizohet” brenda 24 orëve dhe se palët po përgatiteshin për nënshkrimin elektronik të saj.
Megjithatë, para deklaratës së Trumpit, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, tregoi kujdes lidhur me afatin e përmendur. Ai tha: “Duhet të presim dhe të shohim datën e saktë të nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit, megjithëse kjo nuk do të ndodhë nesër.”
Në një postim në Truth Social, Trump shkroi: “Marrëveshja është planifikuar të nënshkruhet nesër dhe menjëherë pas nënshkrimit të saj, Ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur për të gjithë.”
Duke iu referuar dukshëm rezervave iraniane të uraniumit të pasuruar, Trumpi tha se “në momentin e duhur, kur gjithçka të jetë e qetë, ne do të hyjmë dhe do të marrim ‘pluhurin bërthamor’”, duke shtuar se më pas ai do të shkatërrohej.
Për dekada me radhë, Irani është akuzuar nga vendet perëndimore se po përpiqet të zhvillojë armë bërthamore. Teherani i ka mohuar vazhdimisht këto akuza, duke theksuar se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore, si prodhimi i energjisë elektrike dhe kërkimi shkencor.
Trumpi paralajmëroi gjithashtu se nëse procesi nuk do të zhvillohej “shpejt, lehtë dhe pa probleme”, Uashingtoni kishte në dispozicion “alternativën përfundimtare, e cila shpresoj të mos përdoret më kurrë”.
Arrihet marrëveshja SHBA - Iran, nënshkrimi pritet më 19 qershor në Zvicër
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar të dielën se është arritur një marrëveshje me Iranin dhe se SHBA-ja do t’i japë fund bllokadës detare, raporton “CNN”.
“Marrëveshja me Republikën Islamike të Iranit është finale. Urime të gjithëve!” – ka shkruar Trump në një postim në “Truth Social”.
Detajet e marrëveshjes nuk janë bërë të ditura dhe Teherani ende nuk ka komentuar këtë marrëveshje.
Trump tha se ka autorizuar të largohet bllokada detare e SHBA-së ndaj Iranit.
Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, ka konfirmuar gjatë një telefonate në televizionin shtetëror se një marrëveshje me SHBA-në është finalizuar dhe se nënshkrimi zyrtar do të bëhet në Zvicër të premten.
“Një fund i menjëhershëm dhe i përhershëm i luftës dhe i operacioneve ushtarake në fronte të ndryshme, përfshirë Liban, do të shpallet sonte”, tha ai.
Ai shtoi se bllokada detare e SHBA-së kundër Iranit do të hiqet gjithashtu sonte.
I pari që njoftoi marrëveshjen ishte kryeministrit i Pakistanit, Shehbaz Sharif. Sharif tha të dielën se
“Marrëveshja e Paqes mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës Islamike të Iranit është ARRITUR”.
“Të dyja palët kanë shpallur ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin”, tha Sharif në një postim në rrjetet sociale të dielën në mbrëmje.
Ai ka thënë se marrëveshja do të nënshkruhet më 19 qershor në Zvicër.
“Ceremonia zyrtare e nënshkrimit do të mbahet të premten, më 19 qershor, në Zvicër”, shtoi kryeministri, duke falënderuar Katarin, Arabinë Saudite dhe Turqinë për ndihmën e tyre në “përpjekjen e ndërmjetësimit”.
“Me marrëveshjen tashmë në fuqi, ndërmjetësuesit do të lehtësojnë një sërë takimesh gjatë kësaj jave”, thuhet në postimin e Sharifit. “Këto diskutime para zbatimit do të hedhin themelet për bisedimet teknike dhe ceremoninë zyrtare të nënshkrimit.”
Presidenti i Iranit mbron negociatat me SHBA-në
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka mbrojtur negociatat ndërmjet Teheranit dhe Washingtonit në deklaratën e tij më të fundit të publikuara nga mediat iraniane.
“Mbrojtja e interesave kombëtare dhe ruajtja e autoritetit të vendit në kuadër të negociatave nuk është një qasje e kufizuar vetëm te Qeveria, por përkundrazi të gjitha elementet e establishmentit kanë një vizion dhe qëllim të përbashkët për këtë”, ka thënë Pezeshkian, transmeton “BBC”.
Pezeshkian ka thënë se miratimi nga Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare, është kriteri dhe shton se lideri suprem Mojtaba Khamenei e ka fjalën e fundit sa i përket negociatave.
E sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, Mohammad Bagher Zolghadr, ka paralajmëruar kundërpërgjigje pas sulmit të Izraelit në jug të Bejrutit.
Ai ka thënë se Libani është “gjaku jetik” i Iranit dhe se “shkelja e vijave të kuqe të Republikës Islamike s’do të tolerohet”.
Trumpi ende pret që marrëveshja me Iranin të nënshkruhet për dy-tri orë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, beson se marrëveshja me Iranin do të nënshkruhet brenda “dy-tri orëve të ardhshme”. Trump i ka thënë këtë “Fox News”.
Ai ka thënë se ka folur në telefon me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, pas sulmeve të sotme izraelite në Bejrut të Libanit. Trump ka shprehur pakënaqësinë lidhur me këtë sulm.
Ai i ka thënë Netanyahut të mos bëjë sulme tjera, në mënyrë që të mos preket marrëveshja.
Trumpi po dëshiron ta firmosë marrëveshjen me Iranin sot, kur e feston ditëlindjen e 80-të.
Irani ende pa vendim për marrëveshje me SHBA-në, Trumpi kritikon sulmin izraelit ndaj Bejrutit
Iran ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar lidhur me memorandumin e mirëkuptimit të propozuar midis Teheranit dhe Uashingtonit, pavarësisht deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump, se marrëveshja do të nënshkruhej të dielën, ka bërë të ditur media shtetërore iraniane.
Fraksionet konservatore në Iran po kundërshtojnë disa pjesë të marrëveshjes së raportuar me SHBA-në.
Një nga figurat e njohura të linjës së ashpër, Mahmoud Nabavian, ka deklaruar se nëse Irani e nënshkruan marrëveshjen, “ai praktikisht do të bëhet një koloni e Shteteve të Bashkuara”
“Republika Islamike e Iranit ende nuk e ka marrë ose shpallur vendimin e saj përfundimtar në lidhje me memorandumin e mirëkuptimit të propozuar gjatë negociatave”, ka raportuar media shtetwrore iraniane.
Negociatorët nga Katari, në koordinim me Uashingtonin, kanë udhëtuar mëngjesin e së dielës drejt Tehranit për të ndihmuar në finalizimin e marrëveshjes, sipas një burimi të informuar mbi situatën.
Ndërkohë, ushtria izraelite ka njoftuar se të dielën ka kryer sulme ndaj objektivave të Hezbollahut në Bejrut, duke rrezikuar të ndërlikojë përpjekjet për finalizimin e marrëveshjes që synon t’i japë fund luftës midis SHBA-së dhe Iranit.
Shërbimi libanez i Mbrojtjes Civile ka njoftuar se ka nxjerrë nga rrënojat tre të vdekur dhe gjashtë të plagosur.
Pas këtij veprimi nga ana e Izraelit, Irani ka kërcënuar me një përgjigje ushtarake.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkruar të dielën në Truth Social se sulmi në Bejrut nuk duhej të kishte ndodhur.
Ai ka kërkuar përmbajtje nga të gjitha palëve, para siç ka thënë, një marrëveshjeje të mirë që pritet të nënshkruhet me Iranin.
“Sulmi i këtij mëngjesi në Bejrut nuk duhej të kishte ndodhur, veçanërisht në një ditë të veçantë kur jemi kaq afër një marrëveshjeje paqeje me Iranin. Izraeli ka të drejtë të mbrohet nga kërcënimet, por sulmi ndaj të cilit po përgjigjej ishte shumë i vogël dhe i pakuptimtë, askush nuk u lëndua, nuk u plagos ose nuk u vra, dhe nuk duhet ta prishë këtë proces të rëndësishëm. Jemi shumë afër një Marrëveshjeje që do të sjellë paqe në rajon, përfshirë Libanin, dhe të gjitha palët duhet të tërhiqen. Nuk duhet të ketë më sulme nga Izraeli kudo në Liban, por gjithashtu nuk duhet të ketë më sulme nga asnjë palë tjetër, përfshirë Hezbollahun, kundër Izraelit. Ky mund të jetë fillimi i një paqeje të gjatë dhe të bukur - Le të mos e prishim”, ka shkruar Trumpi.
Zyra e Netanyahut ka deklaruar se sulmet e fundit në Bejrut ishin përgjigje ndaj sulmeve të Hezbollahut në veri të Izraelit.
Mirëpo, Irani kërkon që marrëveshja e armëpushimit të përfshijë edhe ndalimin e luftimeve në Liban.
Kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, një nga negociatorët kryesorë të Teheranit, ka shkruar të dielën në X se sulmet izraelite në periferitë e Bejrutit tregojnë se “Amerika ose nuk ka vullnet për të përmbushur zotimet e saj, ose nuk ka aftësinë për ta bërë këtë”.
Ai ka paralajmëruar se këto sulme mund të rrezikojnë fazën përfundimtare të negociatave.
Irani kritikon SHBA-në pas sulmeve të reja izraelite në Bejrut
Kryenegociatori i Iranit, Mohammad Bagher Qalibaf, ka deklaruar të dielën se sulmi izraelit në periferitë e Bejrutit tregon se SHBA-së i mungon vullneti ose aftësia për të përmbushur angazhimet
Në një postim në X, ai ka thënë se vazhdimi në rrugën aktuale do të ishte i pamundur nëse angazhimet nuk mund të përmbusheshin.
Zëvendëskomandanti i komandës së përbashkët ushtarake të Iranit, Khatam al-Anbiya, ka thënë po ashtu të dielën se "krimet" izraelite në periferitë jugore të kryeqytetit të Libanit nuk do të mbeten pa përgjigje, sipas mediave shtetërore.
Komentet vijnë pas sulmeve izraelite në periferitë jugore të Bejrutit, të cilat Izraeli pretendon se kishin në shënjestër aleatin libanez të Iranit, Hezbollahun.
SHBA-ja dhe Irani janë shumë afër nënshkrimit të një marrëveshjeje, sipas të dy palëve. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar madje të shtunën, se marrëveshja do të nënshkruhej të dielën.
Mirëpo, pala iraniane është treguar më e kujdesshme me afatet kohore, duke thënë se marrëveshja është pothuajse gati, por që nuk mund të nënshkruhet të dielën.
Irani e ka bërë të qartë prej kohësh se marrëveshja SHBA-Iran duhet të përfshijë ndalimin e luftimeve edhe në Liban.
Izraeli sulmon Bejrutin në prag të një marrëveshjeje SHBA-Iran
Ushtria izraelite ka njoftuar të dielën se kishte kryer sulme ajrore në kryeqytetin libanez, Bejrut, duke shënjestruar infrastrukturën e Hezbollah.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se sulmet ishin përgjigje ndaj sulmeve të Hezbollahut në veri të Izraelit.
Kur Izraeli goditi periferitë e Bejrutit një javë më parë, Irani reagoi me sulme ndaj Izraelit.
Sulmet vijnë në prag të një marrëveshjeje SHBA-Iran, e cila është paralajmëruar të nënshkruhet shumë shpejt. Iran, mbështetësi kryesor i Hezbollahut, ka këmbëngulur se çdo marrëveshje armëpushimi midis SHBA-së dhe Iranit duhet të përfshijë gjithashtu ndalimin e sulmeve izraelite në Liban.
Hezbollahu ka lëshuar raketa drejt Izraelit më 2 mars, dy ditë pasi SHBA-ja dhe Izraeli sulmuan Iranin, duke nxitur përshkallëzimin e luftës në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, Irani dhe SHBA-ja i janë afruar më shumë një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, ndërsa ndërmjetësues nga Katari kanë udhëtuar drejt Tehranit të dielën për të finalizuar marrëveshjen, sipas dy zyrtarëve rajonalë.
Një ndërmjetës nga Katari niset drejt Iranit për finalizimin e marrëveshjes me SHBA-në
Irani dhe SHBA-ja i janë afruar edhe më shumë një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës me Iranin, ndërsa ndërmjetësues nga Katari kanë udhëtuar drejt Tehranit të dielën për të finalizuar marrëveshjen, sipas dy zyrtarëve rajonalë.
Zyrtarët, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti kanë shprehur optimizëm të kujdesshëm se SHBA-ja dhe Irani më në fund po i afrohen një marrëveshjeje që mund të ndalë armiqësitë që kanë shkaktuar mijëra viktima dhe të rihapë Ngushticën e Hormuzit, mbyllja e së cilës ka shkaktuar trazira në tregjet botërore.
Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, kanë deklaruar të shtunën se marrëveshja do të nënshkruhej të dielën, ndërsa zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, ka thënë se kjo mund të ndodhte gjatë ditëve në vijim. Trumpi ka shtuar për më tepër se Ngushtica e Hormuzit do të hapej menjëherë pas nënshkrimit.
Marrëveshja pritet të nënshkruhet në mënyrë elektronike, pa një ceremoni fizike, megjithëse ende nuk është e qartë se kur dhe si do të realizohet nënshkrimi.
Marrëveshja nuk i zgjidh çështjet më të vështira midis SHBA-së dhe Iranit, përfshirë programin bërthamor iranian apo asetet e ngrira të Iranit, por ofron një kornizë 60-ditore për diskutime teknike mbi këto tema, sipas zyrtarëve pakistanezë dhe rajonalë të njohur me negociatat në vazhdim.
Çështjet bërthamore dhe të tjera mbeten për t’u zgjidhur.