Ish-zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, është arrestuar sot në mëngjes.
Pas më shumë se një viti në arrati, ai vullnetarisht është paraqitur në Bllacë, pikë kufitare me Kosovën ku edhe është ndaluar menjëherë, ngase ndaj tij ishte aktive masa e arrestit, ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme e këtij shteti, raporton Alsat.mk.
Sipas policisë, Grubi u paraqit në hyrje të vendit rreth orës 06:10 dhe u privua menjëherë nga liria.
Ai është i përfshirë në një hetim që lidhet me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik, në kuadër të rastit që ka të bëjë me funksionimin dhe kontratat e Lotarisë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut.
Sipas organeve të ndjekjes, hetimet kanë të bëjnë me vendime dhe kontrata që dyshohet se kanë shkaktuar dëme financiare mbi 8 milionë euro.
Në dhjetor të vitit 2024 Grubi, u pat futur në listë të zezë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Edhe
Artan Grubi vetëdorëzohet, dërgohet në paraburgim
Departamenti pati njoftuar se në listë të zezë ishte përfshirë edhe Enver Bexheti, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Maqedonisë së Veriut.
Ata thuhej se ishin përfshirë në korrupsion, pasi kishin pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore që lidheshin me dënimin penal të Sasho Mijallkov, drejtor i Drejtorisë për Siguri në Maqedoni të Veriut.
Grubi ka qenë zëvendëskryeministr i Maqedonisë së Veriut gjatë mandatit 2020–2024, si përfaqësues i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).