Dritëro Arifi, profesor i shkencave politike, ka thënë se dorëheqja e Liburn Aliut nga posti i ministrit ka qenë vendim i vonuar, se caktimi i Dimal Bashës në postin e kryeparlamentarit ka qenë vendim aksidental dhe se ai s’është dashur të pranonte postin me votat e partisë që dikur i ka cilësuar si kriminelë. E sipas tij, edhe caktimi i Albulena Haxhiut në postin e nënkryetares së Kuvendit është degradim për të.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Arifi ka thënë se dorëheqja e Aliut ka qenë veprim i vonshëm dhe i paktë. Megjithatë sipas tij, më mirë vonë se kurrë. Aliu njoftoi gjatë ditës për dorëheqjen nga posti i ministrit të Ministrisë së Mjedisit, duke dhënë si pretekst zgjedhjen e Bashës kryeparlamentar. Sipas Aliut, zgjedhja e Bashës s’ka qenë në lartësinë e idealit të tij për Republikën.
“Në një mënyrë reflektim i asaj që ka ndodhur gjatë gjithë rrugëtimit të zotit Aliu që në politikë ka dhënë shumë, dhe ka investuar në Lëvizje. Por nga ana tjetër po e kuptoj që është pak e vonshme dhe edhe pse e drejtë, por shumë e vonshme. Sepse po ta mbante këtë parim më 2021 s’do të duhej ta pranonte as në listën e deputetëve prandaj po them se parimet marrin goditje, por ta krijojnë kështjellë të mbrojtjes më vonë. Ma mirë vonë se kurrë, por tregon etikë të integritetit të tij si person që e respektoj”, ka thënë Arifi.
E sipas tij, kjo tregon edhe “mungesën e demokracisë brenda VV-së”. Sipas tij, emri i Bashës nuk është diskutuar në forumet e VV-së se a mund të jetë kandidat për kryetar. Ai ka thënë se emërimi i tij ka qenë aksidental dhe votat për të aksidentale.
Sa i përket integritetit dhe etikës, sipas tij te Basha ka shumë pikëpyetje.
“Nëse ka pasur kaq shumë parim me atë fjalorin e tij të ashpër s’do të duhej ta pranonte postin sepse e ka votuar PDK-ja që e ka quajtur ‘bandë kriminale’. E sot ta konsiderosh partner... ka shumë dyfytyrësi dhe hipokrizi”, ka shtuar ai.
E sipas tij, largimi i ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për t’u bërë nënkryetare është degradim për të.
“Po të bëhej kryetare jemi në rregull sa i përket barasvlerësimit të pozitës, por prej fuqisë ekzekutive në nënkryetare apo asistente e Bashës edhe nënçmim për të”, ka thënë ai.
Sipas tij, edhe PDK-ja do të duhej të mendonte se a duhet ta votojë Bashën për kryeparlamentar nëse ai dikur i ka quajtur parti e kriminelëve. Arifi ka thënë se diskursi i vendosur nga VV-ja është shumë i dëmshëm dhe i rrezikshëm.
Mbi të gjitha, zhvillimet e fundit, sipas tij, janë fitore e opozitës.
“Sepse e detyroi Vetëvendosjen ta ndërrojë emrin e kandidatit. E theu paritmin e parë dhe e vulosi me certifikatë të Kushtetueses si shkelëse të Kushtetutës... nëse e shohim fotografinë e plotë, pa devijimet, është fitore e opozitës. Kanë arritur zoti Kurtin ta fusin në afate kushtetuese”, ka thënë ai.
Zhvillimet për moscertifikimin e Listës Serbe dhe mosvotimin e nënkryetarit nga ana e saj, Arifi i ka cilësuar si “patriotizëm primitiv”. “Këtu ose ka shtet serioz ose nuk ka. A ka shtet ligjor? Nëse ai ka konstatuar se ata i plotësojnë kushtet për certifikim...”
Arifi ka thënë se Vetëvendosje në mandatin e parë ka dështuar në segmentet kryesore të udhëheqjes e sipas tij kësaj partie i mungon edhe guximi.
Ai ka vlerësuar se në Kosovë nuk ka liderë të guximshëm që do të merrnin vendime të mëdha. Sipas tij, lideri i fundit i guximshëm në rajon ka qenë Zoran Zaev, ish-kryeministër i Maqedonisë së Veriut. E për Kosovë, sipas tij, asnjë politikan nuk guxon “pas shkuarjes së Hashim Thaçit ta bëjë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.