Politologu Alexander Rhotert ka punuar rreth 20 vjet për organizata të ndryshme ndërkombëtare në Ballkan. Prej vitesh ai është njëri nga analistët më kritikë ndaj qasjes së BE-së në raport me Serbinë. Këtë e tregon edhe analiza e tij më e re mbi Ballkanin, botuar në gazetën “Tageszeitung” të Berlinit.
Alexander Rhotert thekson se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po përpiqet të deformojë historinë duke ushqyer narrativin e vjetër serb, sipas të cilit “Perëndimi”, “Genscheri”, CIA dhe Vatikani, ishin përgjegjës për shkatërrimin e Jugosllavisë.
“Asgjë nga këto nuk mund të provohet historikisht. Interesante nuk janë vetëm klasifikimet historike të Vuçiqit, por edhe dhimbja e dukshme për humbjen e Bashkimit Sovjetik. Pikërisht këtë dhimbje e ndan me mikun e tij të ngushtë, Vladimir Putin”, shkruan Rhotert.
Ai përkujton se me deklaratat e tij para OKB-së, Vuçiqi bëri të qartë para bashkësisë ndërkombëtare se sa shumë e përbuz BE-në dhe NATO-n dhe sa i afërt është me Rusinë. Këtë e dëshmoi edhe duke i dhënë ambasadorit rus në OKB “Urdhrin e Meritës së Serbisë”, pasi Rusia, së bashku me Bjellorusinë, Kinën, Korenë e Veriut dhe të tjerët, kishin votuar kundër rezolutës që e shpalli 11 korrikun si Ditën e Përkujtimit për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.
Në fund të gushtit, shkruan Rhotert, Vuçiqi dhe Emmanuel Macron nënshkruan një marrëveshje për furnizimin me 12 avionë luftarakë Rafale francezë. Pas kësaj, zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vulin, – një adhurues i shpallur i Stalinit – udhëtoi për në Vlladivostok, ku përcolli përshëndetjet më të ngrohta të shefit të tij për Putinin: “Siç e dini, Serbia nuk është vetëm një partner strategjik i Rusisë, por edhe një aleat i Rusisë. Për këtë arsye, Serbia është nën presion të madh. Megjithatë, Serbia kurrë nuk do të bëhet anëtare e NATO-s dhe kurrë nuk do të vendosë sanksione kundër Federatës Ruse... Serbia kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pjesë e histerisë antiruse.“
Edhe
Vulini e siguron Putinin për “aleancën” e Serbisë, i ankohet për Kosovën
Sipas Rhotert, mesazhi i përcjellë nga Vulin simbolizon një dështim të përsëritur të politikës së qetësimit të BE-së. Në vend që ta pranojë këtë, zëdhënësi i BE-së Peter Stano madje mbrojti Serbinë: “Nuk është vërtet e qartë për kë flet zoti Vulin, veçanërisht në Moskë, kur ai thotë këto gjëra për Rusinë dhe Serbinë”.
Deklarata e Stanos tregon se BE-ja nuk ka mësuar asgjë nga dështimet e viteve 1990-të gjatë agresioneve serbe. Parandalimi i nevojshëm i krizave përmes frenimit të Beogradit është inekzistent.
Brukseli po përsërit të njëjtat gabime që bëri atëherë, kur vazhdimisht theksonte se duhej marrë parasysh edhe agresori, presidenti i Serbisë Slobodan Millosheviq dhe serbët.
Brukseli, Berlini dhe Parisi injorojnë faktin se Serbia vazhdimisht kërcënon fqinjët e saj Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën me pretendime territoriale dhe po forcon lidhjet e saj me Rusinë, shkruan Rhotert. Sipas tij, askush në Bruksel nuk dëshiron ta pranojë se sa shumë është zhvilluar boshti Moskë–Beograd. Me pafuqinë e saj, BE-ja përpiqet të mbajë afër Serbinë, e cila është “kandidate për anëtarësim“, duke shpërndarë miliarda euro pa kushte. Kjo ndodh pavarësisht deficiteve të mëdha demokratike dhe faktit që 65 për qind e popullsisë serbe e kundërshton anëtarësimin në BE. Berlini ndërmjetësoi në korrik – saktësisht 33 vjet pas sulmit të Serbisë ndaj Kroacisë – një marrëveshje miliardëshe për shfrytëzimin e litiumit serb për BE-në. Sipas llogaritjeve të qeverisë gjermane, kjo do ta afronte Serbinë më shumë me BE-në.
Por kjo doli të ishte një gabim i madh, pasi sanksionet e kërkuara ndaj Rusisë u injoruan nga Serbia.
Përkundrazi, vazhdon Rhotert, bashkëpunimi ushtarak me regjimin e Putinit po forcohet. Një skenar lufte, potencialisht i rrezikshëm, vazhdon të përmendet nga Beogradi: Kosova. Serbët që jetojnë atje pretendohet se po shtypen nga qeveria në Prishtinë dhe se po kryhen “spastrime etnike“. Kjo retorikë ishte përdorur në fund të viteve 1980-të nga mentori i Vuçiqit, Sllobodan Milosheviq, për të përgatitur popullsinë për agresion ndaj popujve të tjerë, nënvizon Rhotert.
Megjithëse Washingtoni po vepron me gjysmë zemre kundër planeve për një “Serbi të Madhe”, pa ndërhyrjet e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, në Kosovë në tetor 2023 dhe të drejtorit të CIA-s, William Burns, në Bosnjë në gusht të këtij viti, me shumë gjasa do të kishte tashmë tri luftëra në Evropë.
Edhe Sa herë që Aleksandar Vuçiqi është i izoluar, Edi Rama është i gatshëm t’i dalë në ndihmë (madje edhe në dëm të Kosovës)Rhotert arrin në këtë konkludim në fund të analizës së tij: “Nëse BE-ja nuk dëshiron të përjetojë një tjetër dështim në Ballkan, duhet të nxjerrë mësime nga politika e dështuar e tolerimit të Serbisë në vitet 1990. Në shkurt, ministri gjerman i mbrojtjes, Boris Pistorius, paralajmëroi Vuçiqin në Beograd se “nuk mund të vallëzosh në dy dasma njëkohësisht”.
“Kushdo që nuk i mbyll sytë ndaj fakteve të javëve të fundit e sheh qartë se Beogradi po vallëzon në dasmën e Moskës. Dhe këtë e bën me mbështetjen financiare dhe miratimin e fshehtë të Brukselit”.