Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, së bashku me ambasadorët e BE-së dhe shefat e misioneve në Kosovë, të mërkurën janë takuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar zhvillimet paszgjedhore.
Në një shkrim në “X”, Oravi ka bërë të ditur se gjatë takimit është vlerësuar procesi zgjedhor, duke theksuar se ka reflektuar përkushtim të fortë ndaj parimeve demokratike. Po ashtu, ambasadorët kanë nënvizuar rëndësinë e formimit sa më të shpejtë të qeverisë së re.
“Vlerësuam procesin zgjedhor që pasqyron një angazhim të fuqishëm për parimet demokratike dhe theksuam rëndësinë e formimit të shpejtë të qeverisë”, ka shkruar Orav.
Në takim është kërkuar edhe ratifikimi i shpejtë i marrëveshjeve që lidhen me Planin e Rritjes së BE-së, me qëllim që përfitimet të arrijnë sa më shpejt te qytetarët e Kosovës.
Po ashtu, ambasadori i BE-së ka theksuar se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet thelbësor për përparimin e të dyja palëve në rrugën e integrimit evropian.
Together w/ EU Ambassadors & Heads of Mission in Kosovo, met Caretaker PM @albinkurti to discuss post-election developments. Commended the electoral process reflecting strong commitment to democratic principles & underscored the importance of swift government formation. pic.twitter.com/zl14PwsqaB
— Aivo Orav (@AivoOrav) January 14, 2026