Arbëri

Komunat sërish i kërkojnë Qeverisë që t’iu barten të hyrat vetjake

Kryetari Asociacionit të Komunave të Kosovë (AKK), njëherësh kryetar i Ferizajt, Agim Aliu, i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që të hyrat vetjake dhe fondet e pashpenzuara t’iu barten komunave, pasi sipas tij, kjo është në përputhje me ligjet.

Aliu të hënën në takimin me kryeministrin Kurti, deklaroi se projektet e komunës i kanë paraqitur si bartje buxhetore, derisa përmendi edhe mungesën e pronave komunale si sfidë të institucioneve lokale.

“Shprehim falënderimin për përgjigjen tuaj pozitive për ftesën tonë për takim. Komunat përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) vazhdueshëm i kanë paraqitur shqetësimet e tyre në formë zyrtare. Nisur që nga çështja e tatimit në pronë, e falja e 100 eurove, komunat janë gjendur në një situatë të pakëndshme para qytetarëve. Kryetarët e komunave të Kosovës kundërshtojnë bartjen e faljes së tatimit në pronë te komunat”, shtoi ai.

Ai shtoi se janë të shumta kërkesat që komunat ua kanë shtruar Qeverisë.

Kurti po mban takim koordinues me kryetarët e komunave. Nga kryetarët e komunave veriore, prezent është vetëm Erden Atiq, kryetar i zgjedhur në Mitrovicën e Veriut nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kryeministri Albin Kurti tha në këtë takim se qeverisja lokale e ka vëmendjen e nivelit qendror, që pret të konkretizohen projektet nëpërmjet bashkëpunimit.

Zyra e Kryeministrit bëri me dije se buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm do të jetë 742 milionë euro.

“Më lejoni që të rikujtoj se para tre javëve, Komisioni i Granteve mbajti një takim të rëndësishëm, në të cilin u miratua ndarja e granteve për komuna për periudhën 2024-2026. Buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin vlerën prej 742 milionë euro, që i bie gati 200 milionë euro më shumë buxhet për komuna gjatë kësaj qeverisjeje se sa asaj të mëparshme. Që do të thotë se qeverisja lokale e ka vëmendjen e nivelit qendror, por edhe financat, që presin të konkretizohen përmes një bashkëpunimi mes të gjithë neve”, tha ai.