LAJMET E MBRËMJES

Komunat ankohen për mungesë bashkëpunimi nga Qeveria

Pakënaqësitë me ndryshimet në Ligjin për Tatimin në Pronë, përmes të cilit komunat obligohen t’i subvencionojnë qytetarët pas ngritjes së tarifës nga ana e Qeverisë, janë përsëritur edhe në takimin e radhës mes kryetarëve të komunave dhe kryeministrit Albin Kurti. Shefi i ekzekutivit e ka mohuar se ka diskriminim në shpërndarjen e buxhetit për nivelin komunal.

Shqetësime për mungesë komunikimi dhe bashkëpunimi me nivelin qendror kanë ngritur kryetarët e komunave në takimin e zhvilluar të hënën me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat e linjës.

Kurti, pasi falënderoi kryetarët komunalë për solidaritetin e treguar pas ngjarjeve në veri të vendit, premtoi investime për të gjitha komunat pa dallim. Por edhe kërkoi nga udhëheqjet komunale që të zbatojnë legjislacionin, i cili bazohet në performancë e jo në preferenca.

“Buxheti për komunat në vitin tjetër është 742 milionë euro, po bëhet viti i dytë me radhë që rritja e buxheti është në shifër dyshifrore. Investimet kapitale në komuna përfshinë shumë sfera. Këto investime përfshin të gjitha komuna dhe pa diskriminuar asnjë komunitet. Kemi miratuar legjislacionin e nevojshëm që komunat të raportojnë bazuar në performancë e jo preferencë prandaj duhet të respektohen afatet. Ne jemi të gatshëm që bashkë me ministritë t’u ndihmojmë komunave”, theksoi Kurti.

E kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, njëherësh kryetar i Ferizajt, Agim Aliu, tha se ndryshimet ligjore për tatimin në pronë shpërfaqën mungesën e bashkëpunimit mes Qeverisë dhe nivelit lokal.

“Komunat u sfiduan me ndryshimet në ligjin për tatimin në pronë. Ne kërkojmë të ndahet buxhet shtesë për kryerjen e obligimeve komunale. Po ashtu është me rëndësi themelimi i grantit të 4 për komunat; të bëhet përshpejtimi i procedurave për lejimin e listës pritëse për punësim në arsim e shëndetësi. Po ashtu kërkojmë kthimin e pronave të AKP-së nën menaxhim të komunave si dhe plotësim ndryshimin e ligjit për prokurimin publik”, deklaroi Aliu.

Përveç pjesës së fjalimeve në hapje, pjesa tjetër e takimit vijoi pa prezencën e mediave. Pas përfundimit të takimit, ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se u trajtuan një sërë temash të ngritura qoftë nga Asociacioni apo nga kryetarët individualisht. Pjesë e takimit ishin edhe kryetarët e katër komunave veriore, ndaj të cilëve ende nuk ka një iniciativë për shkarkim përmes peticionit.

“Deri në këtë moment ne nuk kemi pranuar asnjë informacion nga kryesuesi i Kuvendit të Komunës, që një grup i qytetarëve është drejtuar tek ai për të njoftuar atë dhe autoritetet tjera që ka filluar një iniciativë për largimin e kryetareve të komunave përmes peticionit. E rëndësishme në këtë proces është se si Qeveri kemi treguar vullnetin e mirë dhe brenda një muajit kemi draftuar një udhëzim administrativ me standarde shumë të larta, i cili parasheh këtë procedurë në detaje”, theksoi Krasniqi.

Pas Marrëveshjes së Bratislavës mes Kosovës e BE-së, Qeveria pati miratuar Udhëzimin Administrativ, i cili hap rrugë për shkarkimin e kryetarëve komunalë përmes peticionit.