LAJMET E MBRËMJES

Kurti i quan të paqëndrueshme akuzat për favorizimin e disa komunave

Në takimin mes përfaqësuesve të Qeverisë dhe atyre të komunave, kryeministri Albin Kurti u lavdërua rreth rritjes së buxhetit për nivelin lokal. Në takimin që u bojkotua nga pothuajse gjysma e komunave, ai i quajti të paqëndrueshme akuzat për favorizimin në mbështetje të komunave që drejtohen nga Lëvizja Vetëvendosje

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar të mërkurën se Qeveria që ai e drejton u ofron mbështetje të barabartë të gjitha komunave, tek foli për rritjen e buxhetit për nivelin lokal në takimin me kryetarë e përfaqësues të komunave, të cilin e bojkotuan pothuajse gjysma e tyre.

Në takimin në të cilin nga 28 komunat përfaqësues dërguan 15 syresh, Kurti tha se buxheti i sivjetmë për komuna arrin në 742 milionë euro, që është për gati 90 milionë euro më i lartë se në vitin paraprak.

E ai i quajti si të paqëndrueshme akuzat për favorizimin në mbështetje të komunave që drejtohen nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Në vazhdimësi po dëgjojmë akuza e kritika për mungesë të mbështetjes së komunave nga Qeveria ose pabarazi të mbështetjes. As njëra e as tjetra nuk qëndrojnë. Andaj, meqë jemi këtu, në frymë të bashkëpunimit, duhet që asnjëri nga ne të mos i kontribuojmë keqinformimit të qytetarëve”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai ka theksuar se këtë vit secila komunë e ka buxhetin për të paktën 40 për qind më të lartë se para tre vjetësh.

“Granti i përgjithshëm për komuna për vitin 2024 kap vlerën 284.7 milionë euro, që është granti me vlerën më të madhe ndonjëherë. Komunat e Ferizajt dhe Gjakovës janë komunat me më së shumti projekte infrastrukturore, kurse Obiliqi, Skenderaj e Rahoveci janë renditur në top tri komunat përfituese nga granti i performancës komunale që ndahet nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal”, ka theksuar kryeministri.

E ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha gjatë mbledhjes se mbështetja qeveritare për komunat po rritet në vazhdimësi.

“Është e rëndësishme kur kemi një format të tillë të diskutimeve, e për më tepër tash të rregullt ku mund të diskutojmë për sfidat e komunave, procesin e projekteve dhe iniciativat e tyre në të ardhmen. Si asnjëherë më parë buxheti i komunave është rritur”, ka thënë ministri Krasniqi.

Në mbledhjen e gjashtë të këtij formati me komunat, kryeministri ka kërkuar koordinimin e autoriteteve lokale edhe për procesin e regjistrimit të popullsisë, që pritet të fillojë në prill. E pas prezantimit të shkurtër mbledhja u mbyll për publikun.