Kryeministri Albin Kurti në një takim me kryetarë të komunave në Kosovë është lavdëruar për rritjen e buxhetit të ndarë për komunat. Ai ka thënë se për tre vjet sa udhëheq Qeverinë, buxheti për komunat është rritur për 195 milionë euro.
“Gati gjysmën e buxhetit të disponueshëm, Qeveria ua ndan komunave”, ka thënë Kurti në fillim të mbledhjes të mërkurën, teksa ka përmendur Ferizajn e Gjakovën si komunat që ka thënë se janë më të mbështeturat për projekte infrastrukturore.
Kurti po ashtu ka thënë se do të ndërtohen katër strehimore për qentë endacakë – në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Gjilan. Ai u ka bërë thirrje për bashkëpunim në arritjen e objektivave në Strategjinë për Qentë Endacakë.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se buxheti për vitin 2024 për komunat është mbi 740 milionë euro.
Pas deklarimeve të Kurtit dhe Krasniqit mbledhja është mbyllur për mediat. Në këtë takim nuk janë shumica e kryetarëve të komunave.