E të hyrat vetjake të komunave ishin në mesin e temave më problematike që u diskutuan në takimin e përfaqësuesve lokalë me ata të Qeverisë, të hënën. Kryetarët e komunave morën premtim se do t’u ofrohet një zgjidhje nga ekzekutivi. Zyrtarë qeveritarë insistojnë se me vendimin për kthimin e mjeteve të mbetura ndër vite në buxhetin qendror, vetëm sa kanë zbatuar amendamentet që kanë kaluar në Kuvend
Dërgimi në Gjykatën Kushtetuese i çështjes të të hyrave vetjake është vënë në plan të dytë nga komunat.
Kryetarët e komunave ka kohë që pretendojnë se ato janë bllokuar në mënyrë joligjore nga ekzekutivi, e për këtë patën paralajmëruar se do t’i drejtohen Kushtetueses.
Të hënën, pas takimit që pati me kryeministrin Albin Kurti, Agim Aliu, kryetar i Ferizajt dhe i Asociacionit të Komunave, tha se është premtuar një zgjidhje.
“Kemi marrë zotimin e kryeministrit që të fillojë në procedurë e cila do të ketë zgjidhje për këtë çështje, sepse të hyrat vetanake ju takojnë komunave dhe duhet të menaxhohen nga komunat”, tha Aliu.
Derisa komunat insistojnë se mjetet e mbetura ndër vite duhet të kalojnë në buxhetin e tyre, në ekzekutiv thonë se tash për tash, një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm për mjetet e vitit paraprak.
“Kjo çështje rregullohet me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe përgjegjësitë, ku thuhet se të hyrat vetjake të pashpenzuara të komunës për vitin paraprak, barten në vitin vijues”, kishte thënë ministri i Financave, Hekuran Murati.
Përgjigjen e dhënë nga Murati, të hënën e përmendi edhe ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
“Sidoqoftë sot edhe njëherë ministri i Financave e hapi derën për zgjidhjen e kësaj çështjeje, faktikisht nuk është problem për shkak se ne vetëm po e implementojmë një amendament të bërë në Kuvendin e Kosovës me Ligjin e Buxhetit, nëse duhet të ndryshohet ky amendament atëherë sot ministri i Financave iu kërkoi kryetarëve që të bëjnë kërkesë dhe ajo do të trajtohet”, tha Krasniqi.
Pos për të hyrat vetjake, Qeveria iu premtoi zgjidhje komunave edhe sa u përket pronave që menaxhohen nga AKP-ja dhe Agjencia e Pyjeve.
“Kem aprovu ligjin për pyjet e Kosovës i cili ka qenë ligj që është shëtit nëpër sirtarët e qeverive paraprake për 10 vite dhe tash ka diku një muaj prej se është aprovuar ligji për pyjet e Kosovës dhe rrjedhimisht përmes mekanizmave përcjellës edhe udhëzimeve administrative ne do të ofrojmë zgjidhje për komunat e Kosovës, për projektet që është në interes publik ,sikurse që janë parqet mandej rrugët që lidhin qytetet të ndryshme ose të gjitha ata që vlerësohet që janë me interes publik”, tha ministri i Bujqësisë, Faton Peci.
Për adresimin e telasheve që u shpalosën këtë të hënë, por edhe të tjerave eventuale që mund të kenë komunat, është paralajmëruar se do të mbahen edhe takime të tjera.