Kolona të gjata po krijohen çdo ditë mes rrugës “Holger Petersen” dhe “Gucia” të “Lagjes së Spitalit”.
Krijimi i shtresës së akullit deri në 50 centimetra po e pamundëson lëvizjen e lirshme të veturave, duke shkaktuar edhe rrezik për ta.
Ngushtimi i rrugës nuk është bërë shkaku i borës së fundit që ra javën e kaluar.
Rrjedhja e ujit temperaturat e ulëta ka krijuar ngrica të mëdha, të cilat është e pamundur të evitohen për shkak se ky kanalizim rrjedh pa ndalur qe një vit.
Përkundër ankesave, banorët po përballen çdo ditë me këtë problem, për të cilët gjatë dimrit po krijohet vështirësi e ecjes nëpër trotuar, ndërsa gjatë verës përballen me erë të rëndë.
Por Kompania e Ujësjellësit Rajonal të Prishtinës thotë se aty është një problem i rrjetit të kanalizimit, i cila pritet të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë.
Sipas tyre, janë kompanitë e ndryshme të cilat po dëmtojnë pusetat përmes makinerive të rënda.
Zëdhënësja e kësaj kompanie, Arjeta Mjeku, thotë se për hir të konsumatorëve, ata do dalin dhe të intervenojnë edhe një herë në këtë pjesë.
Për një zgjidhje më afatgjate, ajo thotë se qytetarët duhet t’i drejtohen komunës.
Punëtorët e kompanisë “Pastrimi”, të cilët janë kompetentë për pastrimin e kësaj rruge, thonë se kanë dërguar disa herë kërkesa në komunë për rregullimin e këtij problemi, pasi po është e pamundur të bëhet pastrimi i duhur.