Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Aktakuzë ndaj katër personave për falsifikim të rezultatit të votimit në Shtime

Rinumerimi

Foto: Driton Paçarada

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave me inicialet Y.S, B.V, Sh.B dhe R.R, të dyshuar për veprën penale “falsifikim i rezultateve të votimit” për zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar.

Sipas njoftimit, në Qendrën Komunale të Numërimit në Shtime, të pandehurit, në cilësinë e anëtarëve të ekipit të numërimit, dyshohet se kanë ndërmarrë veprime të koordinuara për të shtrembëruar rezultatet e votimit.

Prokuroria bën të ditur se njëri nga të pandehurit ka lexuar në mënyrë të pasaktë votat nga fletëvotimet, ndërsa një tjetër, duke pasur qasje në sistemin elektronik të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka regjistruar të dhëna të pasakta. Ndërkohë, dy të pandehurit e tjerë, edhe pse të pranishëm në proces, nuk kanë ndërmarrë veprime për të parandaluar parregullsitë.

Sipas aktakuzës, këto veprime kanë çuar në regjistrimin e rezultateve të pasakta, të cilat janë konstatuar gjatë procesit të rinumërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, duke cenuar integritetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.