Arbëri

Ngrihet aktakuzë ndaj burrit që grisi fletëvotimin e vet dhe të gruas në zgjedhjet e 28 dhjetorit

Më 2025, qytetarëve u është dashur 4 herë t’ua mësyjnë kutive të votimit. Dy herë për zgjedhje nacionale dhe në dy runde të zgjedhjeve lokale

Foto: Marigona Brahimi

Prokuroria Themelore në Ferizaj të enjten ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj M.A., i cili kishte grisur fletëvotimin e vet dhe të bashkëshortes në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Rasti pati ndodhur në një shkollë Shtime.

Ai po akuzohet për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”.

Sipas aktakuzës, më 28 dhjetor, në një qendër të votimit në qytetin e Shtimes i pandehuri me inicialet M.A., ka dëmtuar dokumentet e votimit lidhur me zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se të gjitha rastet eventuale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025, do të trajtohen me prioritet dhe në përputhje të plotë me ligjin, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.