Qëndrim Kryeziu, pronari i “ISP Broadcast”, i ka bërë thirrje kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që t’u krijojë hapësirë bizneseve të Kosovës të operojnë atje.
Ai është shprehur se nëse nuk merren masa për çështjen e daljes në tregun e lirë të bizneseve, bizneseve nuk u mbetet rrugë që të operojnë në vend.
“Unë i bëj thirrje publike Edi Ramës që nëse kryeministri Kurti vazhdon me këto politika të na mundësoj dhe të na krijojë një hapësirë për t’i dërguar bizneset tona në Shqipëri”, ka thënë Kryeziu.
Që nga e enjtja përfundon afati i furnizimit përmes KEK-ut, si zgjidhje e përkohshme për bizneset e mëdha që janë obliguar që energjinë elektrike ta sigurojnë përmes tregut të hapur. ZRRE-ja ka paralajmëruar se të gjitha bizneset me mbi 50 punëtorë apo me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, e që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar, prej 31 korrikut do të mbesin pa energji elektrike.
Haxhimusa: Kriteret për treg të hapur janë nga 2017-a, është dashur të rishikohen
Adhurim Haxhimusa, njohës i fushës së energjisë, ka thënë se i gjithë procesi i daljes në treg të hapur ka qenë i ngutshëm.
Ai ka deklaruar se kriteret për treg të hapur janë nga viti 2017 dhe ato është dashur të rishikohen. Ka theksuar se tregu i energjisë elektrike është shumë kompleks dhe procesi i liberalizimit të tregut kërkon kompetenca të mëdha.
“Është kritik fakti që këta i përdorin kriteret e vitit 2017. Duke e pasur parasysh trendin e rritjes së çmimeve këta nuk e marrin vlerën e produktit real por vlerën e produktit nominal. Vlera e produktit nominal ka shkuar duke u rritur si rrjedhojë e rritjes së çmimeve. Nëse një biznes më 2017 ka pasur qarkullim 5 milionë euro që nuk e ka plotësuar kriterin për të qenë pjesë e tregut të liberalizuar si rrjedhojë e inflacionit tash e plotëson atë kriter, por realisht ai nuk prodhon më shumë. Ky është një kriter që është dashtë të rishikohet edhe një herë”, ka thënë Haxhimusa në “Konfront”.
Kryeziu: Nuk besoj se ZRRE-ja do ta zbatojë aktgjykimin e Komerciales
Qëndrim Kryeziu, pronar i “ISP Broadcast”, nuk beson se Zyra e Rregullatorit të Energjisë do ta zbatojë aktgjykimin e Gjykatës Komerciale për pezullim të njoftimit të ZRRE-së për daljen në tregun e lirë. Oda Ekonomike e Kosovës të mërkurën ka thënë se Komercialja e ka anuluar në tërësi njoftimin e ZRRE-së.
Kryeziu ka thënë se derisa në çdo shtet evropian bizneset ndihmohen, në Kosovë ndodh e kundërta.
“Nuk kemi qenë kundër tregut të hapur, por kundër qasjes në tregun e hapur. Nëse e shohim tregun e hapur në vendet e Bashkimit Evropian bizneset paguajnë më lirë se konsumatorët vendorë. Në çdo vend shteti të ndihmon me hapë një vend pune, te ne shteti të dëmton pëe të hapë një vend pune. Për ne ka qenë shumë pengesë rryma, uroj të jetë e vërtetë sepse kësaj qeverisjeje nuk i besohet ky vendim. Nuk besoj dhe dyshoj se po ndodh”, ka thënë ai.
Ajazi: Me aktgjykimin e Komerciales, nga nesër bizneset duhet të kthehen në treg të rregulluar
Kushtrim Ajazi, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, ka thënë se sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Komerciale, nga 31 korriku procesi i liberalizimit të tregut të lirë duhet të pezullohet.
Ai ka theksuar se Zyra e Rregullatorit të Energjisë duhet ta zbatojë këtë vendim.
“Njoftimi i Gjykatës Komerciale, konkretisht pika 4 e aktgjykimit specifikon se procesi në tërësi i daljes në tregun e lirë pezullohet deri në aktgjykimin e tërësishëm të gjykatës. Nënkupton se i gjithë procesi i liberalizimit të tregut të lirë duhet të pezullohet dhe nga nesër të gjitha bizneset duhet të kthehen në tregun e rregulluar deri në vendimin e prerë të gjykatës”, ka thënë ai në “Konfront”.