Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, që këto ditë e ka zënë hapësirën mediale me lajmin për prezencën e tij në një jaht luksoz në Budva të Malit të Zi, ka thënë se kjo mund të konsiderohet një pakujdesi e tij.
“E pranoj se jam person i mbikëqyrur dhe prezenca ime në atë jaht mund të ketë qenë gabim”, ka thënë Ahmeti.
Në emisionin “Jeta në Kosovë” ai ka thënë se nuk e ka ditur se jahti është i Blerim Devollit. Por ka thënë se ky i fundit ka qenë aty në takim.
Vetëm një cocacola zero ka thënë ta ketë pirë në jaht, ku thotë të jetë ftuar nga Ernest Jusufi, drejtor i Birrarisë “Peja”, po ashtu pjesë e bizneseve të Devollëve.
Ahmeti ka thënë se nuk ka shëtitur me atë jaht, dhe se takimi aty ka qenë spontan e jo i paracaktuar.
Me Blerim Devollin, Ahmeti ka thënë të ketë pasur disa takime të tjera në Prishtinë, që siç ka thënë janë të lidhura me tenderin për qumështin që Komuna e blen për shkollat e Prishtinës. Ka mohuar ta quaj mik Blerim Devollin, e ndonëse nuk i ka thënë atij në sy mendon se për mënyrën se si e ka privatizuar Fabrikën e Amortizatorëve ka vend për hetim. Gabime ka thënë se mund të ketë edhe në rastin e Z –Mobile dhe Postës së Kosovës.