Arbëri

Aeroplani i linjës Prishtinë – Stamboll doli nga pista pas aterrimit, Ambasada thotë se s’ka të lënduar

Aeroplan

Një aeroplan i linjës Prishtinë – Stamboll ka dalur nga rruga e taksimit dhe është ndaluar në skajin e pistës në Aeroportin e Stambollit, ka njoftuar Ambasada e Kosovës në Ankara. 

Ambasada ka thënë se sipas informacioneve zyrtare të gjithë pasagjerët janë evakuuar në mënyrë të sigurtë dhe nuk ka ndonjë të lënduar. 

Kompania AJet, në deklaratën e saj, ka thënë se është kryer aterrimi në mënyrë të rregullt dhe se gjatë lëvizjes në rrugën e taksimit ka dalë në terren të butë si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. 

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Turqi njofton se sot, në Aeroportin Sabiha Gökçen, një aeroplan i operuar nga kompania AJet, i tipit Boeing 737-800, i cili realizoi fluturimin Prishtinë–Stamboll me numër TKJ76Q / VF102, pas aterrimit ka dalë nga rruga e taksimit dhe është ndalur në skajin e pistës. Sipas informacioneve zyrtare, të gjithë pasagjerët janë evakuuar në mënyrë të sigurt përmes shkallëve të jashtme, pa qenë e nevojshme përdorimi i rrëshqitësve emergjentë.  Nuk ka raportime për persona të lënduar dhe udhëtarët janë larguar në mënyrë të rregullt nga aeroporti drejt destinacioneve të tyre. Në deklaratën e saj, kompania AJet ka bërë të ditur se aeroplani ka kryer një aterrim të rregullt dhe se gjatë lëvizjes në rrugën e taksimit ka dalë në terren të butë, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut”, ka njoftuar Ambasada e Kosovës në Ankara. 

Ngjarja ka shkaktuar vonesa dhe devijime të fluturimeve nga Aeroporti Sabiha Gokçen në Stamboll.