Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Abdullahu, ka deklaruar se Qeveria Kurti po tregohet përjashtuese ndaj opozitës, e sipas tij, mendësia e partisë në pushtet është e njëjta me atë të kohës kur ishte në opozitë.
Ai ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, se kryeministri Kurti është dashur t’i ftojë partitë opozitare në takim për t’i njoftuar mbi situatën e dialogut, pasi siç ka thënë ai, qasja e Kurtit është me mendësi agresive.
“Nuk ja vlejmë të shkojmë në atë takim (me presidenten Vjosa Osmani). Me gjithë respektin për presidenten që bën përpjekje për të kryer funksionin e saj unifikues me spektrin...Ekzekutivi vazhdon të jetë si në kohën e opozitës, me mendësinë agresive e qasjen krejt përjashtuese, jo vetëm ndaj PDK-së. E kjo qasje e Kurtit s’ka ndërruar për fat të keq”, ka thënë Abdullahu.
Zëdhënësi i partisë opozitare ka theksuar se PDK-ja ka mundësi “të kufizuara” për t’iu kundërvënë vendimeve të Qeverisë, e sipas tij, kryeministri Kurti duhet të jetë “më i sinqertë”.
“Vërejtjet janë shumë të mëdha, i kemi bërë të njohura. Ka shumë gjëra jonormale brenda marrëveshjes që kjo Qeveri po mundohet të kamuflojë si diçka për normalizim. Nëse s’ka njohje brenda marrëveshjes, s’ka normalizim. Ekspertët tanë e kanë shqyrtuar Draftstatutin dhe iu janë qasur formave të ndryshme për të ardhur në përfundim se kjo jo vetëm që s’është e mirë, por e dëmshme për Kosovën për shumë arsye”, ka shtuar ai.
Plani për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas Abdullahut, është lloj autonomie për serbët “që po servohet e s’duhet të pranohet”.
“Kemi qasje të qëllimshme konfuze për të hapur rrugën që kur të pranohet marrëveshja, duke e eklipsuar, të mos jetë e qartë dhe të mos pranohet e keqja e saj. Marrëveshja është e dëmshme, e kthen Kosovën prapa”, është shprehur Abdullahu.
Zëdhënësi i PDK-së e ka quajtur kryeministrin Kurti “ekspert të ëndrrave”, pasi ai ishte shprehur ditë më parë se sukseset e Qeverisë “vendet e tjera s’i shohin as në ëndërr”.