Arbëri

Abdixhiku: Të pangopur, të mbrapshtë dhe të rrezikshëm

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka shkruar se pushtetarët në Kosovë janë të pangopur, të mbrapshtë dhe të rrezikshëm.

Ai ka përmendur punësimet partiake që janë bërë në Telekom, gjë për të cilën tash e disa ditë ka raportuar KTV-ja.

Së fundmi në Telekom është punësuar edhe djali i deputetit të AAK-së, Muharrem Nitaj, si dhe burri i deputetes së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi.

Në “Telekomin e AAK-së” punësohet edhe djali i Muharrem Nitajt, deputeti thotë se ai ka përgatitje fantastike

Më poshtë keni postimin e plotë të Abdixhikut:

Çka pritët prej tyre?

Janë të pangopur, të mbrapshtë dhe të rrezikshëm.

- 7 deputetë të pushtetit i kanë punësuar familjarët e tyre në Telekom. Thonë se janë më të zotit; s’ka si ta në Kosovë. Njëri madje tha se po i bënte nder Kosovës. Në Parlament, të njëjtit ndërsa, na mbajnë ligjerime moralizuese e vajtuese mbi devalvimin e PTK-së. Pyesin pse po falimenton?

- 234 familjarë e militantë partiak janë punësuar në Telekomin e Kosovës vetëm gjatë kësaj qeverisje. Proporcionalisht kanë punësuar më shumë se Telekomi Gjerman. Është hera e dytë që ia kalojmë Gjermanisë. E para kishte të bënte me numrin e ministrive në Qeveri.

Këta pasurinë e Kosovës e shohin si plaçkë. Si pronë të tyre, si shpërblim. Për vetëm 1 vit e gjysmë qeverisje, kanë kapur me pangopësi secilën mundësi. Nga gjysmë milion eurot e pavarësisë, tek 53 milionë eurot e Bechtelit. Nga rritja e pagave për vete tek vërshimet punësuese nëpër asete.

Por, “me rëndësi taksa”.

Me të jemi 100% shtet.