Lidhja Demokratike e Kosovës ka miratuar disa nga kandidatët për zgjedhjet komunale.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka sqaruar arsyen që Agim Veliu nuk është kandidat në zgjedhjet e këtij viti për komunën e Podujevës.
Ai ka thënë se Veliu nuk ka shprehur ambicie për të qenë kandidat.
“Ne kemi zgjedhur kandidatët që kanë gjasa më të larta dhe Veliu nuk ka shprehur ambicie për të qenë kandidat për kryetar të komunës, kemi zgjedhur Hysenin që do ta rikthejë Podujevën sa më parë. Të tjerët do zyrtarizohen në ditët në vijim”, ka thënë Abdixhiku pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së.
Abdixhiku ka shtuar se pritshmëritë e partisë për këto zgjedhje janë të lartë, ndërsa u shpreh bindshëm në fitoren e shumicës së komunave.
Edhe
Veliu: Abdixhiku të marrë përgjegjësinë për dështimin
“Besojmë se do të jemi fitues në pjesën më të madhe të komunave. Kemi organizim të jashtëzakonshëm nëpër degët tona, kemi frymë të rikthimit të LDK-së. Rezultati do të jetë padyshim pozitiv”, ka thënë ai.
Abdixhiku u përgjigj edhe për rikandidimet, për të cilat tha se komunat në të cilat kanë udhëhequr deri tash e kanë pasur “udhëheqjen më të mirë që e ka pasur Kosova”.
Abdixhiku ka thënë se kompetencat të cilat deri tash i ka pasur Veliu në degën e LDK-së në Podujevë si kryetar, i kanë kaluar kandidatit të ri. Këtë ai nuk e quajti shkarkim të Veliut nga dega, por një proces normal që i takon secilit kandidat të ri që vihet në garën për kryetar komune.
“Kompetencat i kanë kaluar kandidatit për kryetar të LDK-së, s’ka të bëjë me individ, ka të bëjë me proces normal për secilin kandidat tjetër që vjen nëpër çdo komunë të Kosovës", ka thënë ai kur u pyet nëse Veliu është shkarkuar.
Edhe
Abdixhiku për nominimin e Veliut: Hap i mbarë në ndërtimin e bashkimit të madh
"Kandidati i ri për Podujevë është Ekrem Hyseni dhe Kryesia si pjesë e procesit të brendshëm vlerësues dhe organizativ i ka kaluar të gjitha kompetencat organizative të degës, të shtabit zgjedhor dhe të garës së ardhshme zgjedhore në Podujevë. Vendime të njëjta do të jenë pothuajse në çdo komunë, ku kryetarët aktualë do kenë kompetencat të organizimit strukturor të LDK-së”, ka shtuar ai.