Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka thënë se ndër kandidatët e propozuar për deputet nga LDK-ja në Podujevë është edhe Agim Veliu.
Ditë më parë kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, kur u pyet nga gazëtarët për rikthimin e ish-ministrit Agim Veliu, ai u përgjigj shkurt duke thënë se “të gjithë do t’i bëjmë bashkë”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPropozimin e Veliut si kandidat për deputet në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, e bëri të ditur edhe dega e LDK-së në Podujevë.
Kryetari i kësaj dege, Ekrem Hyseni ka thënë se me qëllim të unifikimit të strukturave dhe mbështetësve të partisë, ka propozuar që ndër kandidatët për deputet nga Llapi të jetë edhe Agim Veliu.
“Me qëllim të unifikimit të të gjithëve, si kryetar i Degës së LDK-së në Podujevë, kam propozuar që ndër kandidatët për deputet nga Llapi, të jetë edhe Agim Veliu, e në këtë garë po ashtu janë edhe katër kandidatë tjerë nga Dega jonë: Arjeta Salihu Abazi, Alisa Jetullahu, Zaim Thaçi dhe unë Ekrem Hyseni. Është momenti i të gjithë atyre që duan e që besojnë të kontribuojnë në këtë rrugëtim! Le të bashkohemi të gjithë, sepse LDK-ja është e të gjithëve”, ka shkruar Hyseni.
Agim Veliu nuk ishte përfshirë në listën e LDK-së si kandidat për deputetë në dy palë zgjedhjet e mbajtura më 2025. Më herët ishte kryetar i Podujevës, deputet dhe ministër i Punëve të Brendshme.
Pas rezultatit që LDK-ja mori në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Veliu, kërkoi dorëheqjen e liderit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku dhe mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme në parti.
Mospërfshirjen e tij në këto zgjedhje, Veliu e kishte quajtur padrejtësi të pashembullt.
Veliu refuzon të jetë pjesë e listës së LDK-së
Agim Veliu ka thënë se refuzon të jetë pjesë e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
Veliu në arsyetimin e tij ka folur për “Bashkimin e madh”, e ku tha se në të po përfshihen të gjithë ata që u anatemuan dhe u eliminuan nga lideshpshipi aktual.
Ish-kryetari i Podujevës tha se para zgjedhjeve të 28 dhjetorit të vitit të kaluar, pati shprehur publikisht vullnetin të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë.
Por, tha se kryesia e Degës së Podujevës së LDK-së kishte refuzuar edhe të nxjerrtë në diskutim kandidaturën e tij dhe arsyetimi ishte “vendim i shefit të madh (Lumirit) të mos jem pjesë e garës”.
“Ndërsa sot e njëjta kryesi, me bekimin e shefit, më paska propozuar të jem në listën e kandidatëve për deputetë. Madje pa më kontaktuar dhe pa më konsultuar fare. Tash nuk di nëse paskam ndryshuar unë, apo ata? Jo. As unë, as ata. Kanë ndryshuar vetëm strategjitë për mbijetesën e tyre politike. Ka ndryshuar edhe motoja, të cilën e solli në LDK e rikthyera nga aventuara e saj pesë vjeçare në kampin majtist. Ajo, bashkë me Lumirin, mashtrimin dhe përdorimin e madh e ambalazhuan në "Bashkim të madh të djathtistëve". Pikërisht për këto arsye, me respektin më të thellë për anëtarësinë e ndershme të LDK-së, deklaroj publikisht se refuzoj të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 7 qershorit”, ka shkruar Veliu.
Ai ka thënë se nuk po largohet nga LDK-ja, por po refuzon të përdoret dhe të jetë pjesë e një projekti “që e largon partinë nga identiteti i saj institucional e shtetndërtues”.
“Jam i bindur se LDK do të çlirohet nga mentaliteti i OJQ-izimit politik dhe do të rikthehet në rolin e saj historik si forcë përgjegjëse shtetformuese. LDK është më e madhe se interesat meskine të dy njerëzve. Zoti e ruajt LDK-në!” – ka shkruar Veliu.
Të hënën Dega e LDK-së në Podujevë nominoi Veliun ndër të tjerë si kandidat për deputet. Vendimin e Degës e përshëndeti kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se është "një hap i mbarë në ndërtimin e bashkimit të madh".
Abdixhiku për nominimin e Veliut: Hap i mbarë në ndërtimin e bashkimit të madh
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nominimi i Agim Veliut si kandidat për deputet është një hap i mbarë në ndërtimin e bashkimit të madh.
Ai ka falënderuar Degën e LDK-së në Podujevë për “unitetin, pjekurinë dhe përgjegjësinë e treguar”.
“Falënderoj Degën e Podujevës për unitetin, pjekurinë dhe përgjegjësinë e treguar në këtë moment të madh bashkimi për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Nominimi nga dega i ish-kryetarit të saj, Agim Veliut, është dëgjim i vullnetit të anëtarësisë dhe një hap i mbarë në ndërtimin e bashkimit të madh për të cilin jemi angazhuar të gjithë. LDK-ja gjithmonë ka ditur të bëhet më e fortë atëherë kur ka ditur të bëhet bashkë. Dhe ky është mesazhi më i mirë që mund t’u japim sot qytetarëve tanë; se mbi çdo dallim, mbi çdo pakënaqësi e mbi çdo periudhë të kaluar, qëndron shtëpia jonë e përbashkët politike, Lidhja Demokratike; dhe përgjegjësia jonë ndaj Republikës”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.