Arbëri

LDK-ja publikon listën me të cilën do të kandidojë në zgjedhjet e 28 dhjetorit

Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar listën prej 110 kandidatëve me të cilën do të garojë në zgjedhjet e parakohshme nacionale më 28 dhjetor. 

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se lista është kombinimi i “njerëzve të dëshmuar në profesionet e tyre, aktivistëve të palodhur të LDK-së, gjeneratës së re që kërkon hapësirë e përgjegjësi, dhe figurave që kanë ndërtuar institucione, ekonomi, arsim e siguri”. 

Në listë nuk gjendet ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu. 

“Çdo emër në këtë listë qëndron mbi vlera; integritet, besim dhe shërbim ndaj qytetarëve. Me këtë listë, Lidhja Demokratike e Kosovës nis rrugëtimin drejt më 28 dhjetorit për ta kthyer vendin në normalitet, për t’i rikthyer institucioneve stabilitetin, ekonomisë zhvillimin dhe qytetarëve dinjitetin. Shkojmë drejt fitores me qetësi, me dije, me përkushtim - dhe me besimin se populli i Kosovës do të zgjedhë shpresën. Le të ecim bashkë.  Për shpresën. Për shtetin. Për Kosovën tonë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook. 

Në dhjetëshen e parë të listës, pas Lumir Abdixhikut janë: Kujtim Shala, Hykmete Bajrami, Doarsa Kica-Xhelili, Lutfi Haziri, Abdullah Hoti, Anton Quni, Jehona Lushaku-Sadriu, Ferid Agani dhe me numrin 10, Ukë Rugova.


 

Veliu e quan “padrejtësi të pashembullt” mospërfshirjen e tij në listë të LDK-së

5 o. më parë / 7 dhj 2025 20:21
Agim Veliu

Ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu, ka thënë se përjashtimi i tij nga lista e LDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit, është një padrejtësi e pashembullt. 

“Edhe pse nuk kam humbur asnjë garë në jetën time politike, sot po shoh një padrejtësi të pashembullt brenda vetë partisë sime. Përjashtimi im nga lista e kandidatëve nuk është vendim politik !  Është manovër e ulët, e mbështjellë me frikë dhe kalkulime të vogla të individëve që e kanë harruar kush e ka mbajtur Lidhjen Demokratike të Kosovës fituese për vite me radhë.  Unë nuk jam bërë barrë për askënd, por duket se dikush është trembur nga fuqia ime elektorale dhe integriteti që e kam dëshmuar me punë e me votë, e jo me pazaret e zyrave të mbyllura! Ky vendim nuk më nëpërkëmb mua por fyen drejtpërdrejt votuesin që gjithmonë më ka mbështetur”, ka shkruar Velu në Facebook. 

Ai ka thënë se nuk do të tërhiqet dhe se “ky është vetëm fillimi”. 

“Le ta dinë të gjithë: nuk do të hesht, nuk do të tërhiqem dhe nuk do të lejoj që intrigat e disa zyrtarëve të frikësuar e pa integritet ta zhbëjnë punën time shumëvjeçare.  Transparenca dhe drejtësia do të kërkohen deri në fund.  Ky është vetëm fillimi”, ka shkruar Veliu.