Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përsëritur se rezultati zgjedhor nuk ishte ai që priste, madje se ishte larg atij që parashihte. Megjithatë, ai ka shtuar se LDK respekton verdiktin e qytetarëve.
Abdixhiku ka theksuar se LDK-ja nuk i shmanget përgjegjësisë dhe reflektimit, derisa ka shtuar se pas organizimit të Kuvendit të partisë do të vendoset fati i saj.
“Por njëkohësisht, dua të jem i qartë: LDK është parti institucionale. Çështjet tona nuk zgjidhen në statuse emocionale, as në klithma sociale, e as në debate të çastit. Pas certifikimit të rezultateve, sipas Statutit dhe traditës sonë demokratike, do të mblidhet Kryesia e LDK-së; dhe pas saj, siç kam paralajmëruar natën e zgjedhjeve, do të organizohet dhe Kuvendi i LDK-së, aty ku vendos anëtarësia, e jo klithmat e interesave të ngushta. Në Kuvend, në organet legjitime të partisë, nga anëtarësia e partisë, vendoset fati i LDK-së. Aty do të trajtohen të gjitha çështjet politike, organizative dhe vendimmarrëse - mbi të gjitha të përgjegjësisë dhe të vizioneve tutje përpara”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndërsa, ka kritikuar ata që “e godasin LDK-në”.
“Një fjalë të drejtpërdrejtë kam dhe për ata që sot po e godasin LDK-në nga jashtë: qëllimet e tyre nuk kanë qenë kurrë të mira, as për LDK-në e as për arritjen e një rezultati më të mirë zgjedhor. LDK-ja nuk ndërtohet me sulme nga jashtë, e as me gëzim për humbjen e saj. LDK është më e madhe se çdo individ, por edhe më e fortë se çdo zë që synon ta dobësojë. Ne do ta bëjmë fatin tonë, me qetësi, me ndershmëri dhe me përgjegjësi; siç i ka hije kësaj shtëpie politike e cila nuk braktiset e as nuk goditet në ditët e saja më të vështira”.
