Në Kuvendin e mbajtur të enjten në mbrëmje delegatët e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë miratuar një vendim i cili flet edhe për “respektimin dhe zbatimin e vendimeve të shumicës”.
“Të gjithë anëtarët, zyrtarët, të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e LDK-së obligohen t'i respektojnë dhe t'i zbatojnë vendimet e miratuara nga organet kompetente të Partisë, në përputhje me Statutin, përfshirë edhe këtë të sotmin. Debati, mendimi ndryshe dhe kundërshtimi politik ushtrohen lirshëm brenda organeve dhe procedurave statutare të LDK-së”, thuhet në vendimin i cili u publikua të premten në Facebook.
Termi “të zgjedhurit” u referohet personave që janë zgjedhur në një funksion ose mandat politik në emër të LDK-së, si deputetët e Kuvendit, kryetarët e komunave ose anëtarët e kuvendeve komunale.
Tutje thuhet se pas përfundimit të procesit vendimmarrës, kundërshtimi i vendimeve të shumicës do të cenonte rregullin partiak.
“Pas përfundimit të procesit vendimmarrës, kontestimi publik, pengimi i zbatimit apo veprimi në kundërshtim me vendimet legjitime të shumicës përbën cenim të unitetit institucional dhe të rregullit partiak. Asnjë zyrtar apo strukturë e LDK-së nuk mund të veprojë publikisht në emër të Partisë në kundërshtim me qëndrimet dhe vendimet e organeve të saj kompetente. Organet përkatëse të LDK-së obligohen të sigurojnë zbatimin e këtij vendimi dhe, kur është e nevojshme, të ndërmarrin masat statutare ndaj shkelësve”, thuhet në vendim.
Edhe
LDK-ja kërcënon me masa ata që s’u binden vendimeve të shumicës e që kundërshtojnë publikisht
Tutje thuhet se pozita partiake, mandati publik apo funksioni institucional nuk mund të shërbejnë si bazë për përjashtim nga përgjegjësia statutare, etike ose ligjore.
Në këtë vendim flitet edhe për satabilitetin institucional dhe përgjegjësinë shtetërore.
Në vendim partia që ka dalë e treta në zgjedhjet e fundit nacionale, ka përcaktuar si orientim angazhimin për stabilitet institucional e shmangie të zgjedhjeve të sërishme.
“Kuvendi përcakton si orientim parësor politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës angazhimin për stabilitet institucional, funksionalizimin e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale”, thuhet ndër të tjera në vendim.
Tutje në vendimin e publikuar në Facebook thuhet se kryetari i LDK-së në të gjitha kompetencat e tij statutare, Kryesia aktuale, Këshilli i Përgjithshëm e Grupi Parlamentar angazhohen që, brenda kompetencave të tyre statutare dhe kushtetuese, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për realizimin e këtij orientimi.
“Veprimi politik i LDK-së duhet të udhëhiqet nga përgjegjësia e saj shtetformuese, nevoja për ruajtjen e balancës demokratike dhe domosdoshmëria e krijimit të stabilitetit politik e institucional për avancimin e objektivave euroatlantike të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.
Tutje thuhet se çdo angazhim i LDK-së në proceset institucionale duhet të jetë në përputhje me interesin shtetëror, orientimin euroatlantik, programin politik dhe vendimet e organeve kompetente të Partisë.
Në Kuvendin e mbajtur të enjten, 170 delegatë të LDK-së votuan për qëndrimin e kryetarit Lumir Abdixhiku në krye të partisë, ndërsa 152 për largimin e tij. Nisma për shkarkimin e tij u ndërmorr pas zgjedhjeve të 7 qershorit, kur LDK-ja ka dalë prapë parti e tretë me 16.7 për qind të votave.
Edhe
Në LDK kundërshtohet obligimi i deputetëve për votën në Kuvend
Menjëherë pasi që Lumir Abdixhiku është rikonfirmuar si kryetar Lidhjes Demokratike të Kosovës, ai dhe nënkryetari i partisë Lutfi Haziri kanë paralajmëruar rikthim në tavolinën e bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje, për formimin e institucioneve.
Pas Kuvendit ku mori besimin për të vazhduar me udhëheqjen e LDK-së Abdixhiku, ka konfirmuar se partia e tij është e hapur për rikthim të menjëhershëm për negociata me Vetëvendosjen për formim të institucioneve