Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AAK-ja rinis zgjedhjet e brendshme

AAK-ja rinis zgjedhjet e brendshme

Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur për vazhdimin e procesit të zgjedhjeve të brendshme në të gjitha nivelet e organizimit.

Procesi ishte nisur më herët, por u pezullua pasi presidentja Vjosa Osmani më 6 mars dekretoi shpërndarjen e Kuvendit. E procesi u rikthye pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi dekretin dhe vendosi që Kuvendi ka edhe 34 ditë afat për të zgjedhur presidentin e ri ose vendi shkon në zgjedhje.

AAK-ja ka njoftuar se procesi i zgjedhjeve brenda partisë do të nisë më 27 mars dhe do të përfundojë më 24 maj, me mbajtjen e Kuvendit të Përgjithshëm të AAK-së.

“Prej sot, të gjitha degët në nivel vendi janë udhëzuar që të fillojnë përgatitjet dhe organizimin e këtij procesi, në përputhje me aktet e brendshme të Aleancës. Ky është njëkohësisht proces i afrimit me qytetarët, i reformës së brendshme në parti dhe i fuqizimit të strukturave, me synim rritjen e përfaqësimit dhe konsolidimin e mëtejshëm të Aleancës në gjithë vendin”, thuhet në njoftim.

AAK-ja pas këtyre zgjedhjeve pritet të ketë kryetar të ri. Ramush Haradinaj ka vendosur të mos kandidojë më për postin e kryetarit të partisë që e ka udhëhequr që nga themelimi. Ai kohë më pari pati bërë të ditur se ka pajtim brenda partisë që drejtimin e saj ta marrë Ardian Gjini, aktualisht nënkryetar.