Albin Kurti është mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Megjithatë, kur kanë mbetur më pak se 20 orë deri në seancën e Kuvendit të thirrur për votimin e qeverisë së re, nuk është e sigurt nëse Lëvizja Vetëvendosje dhe Kurti kanë siguruar shumicën prej 61 votash në Kuvend.
Vetë kryeministri në detyrë e ka pranuar se e ka të vështirë t’i sigurojë 61 votat e mjaftueshme për të siguruar edhe një mandat.
Ai i ka bërë ofertë për koalicion Lidhjes Demokratike të Kosovës, që ka refuzuar. Ndërsa ka pasur bisedime edhe me Nismën Socialdemokrate, që ka tre deputetë, por ka thënë se nuk kanë arritur pajtim.
Lëvizja Vetëvendosje i ka 48 deputetë e përkrahje ka nga ajo që dihet publikisht edhe prej të paktën shtatë deputetëve të komuniteteve pakicë joserbe si dhe të Nenad Rashiqit nga komuniteti serb. Kurti e Vetëvendosja, të sigurt nuk e kanë mbështetjen e deputetes boshnjake Duda Balje, atij egjiptian Veton Berisha e të goranit Adem Hoxha.
Në rast të dështimit të votimit të Qeverisë, presidentja ka diskrecion ta caktojë mandatarin edhe nga parti të tjera, jashtë asaj fituese, me kushtin që t’i dëshmohet shumica në Kuvend. Presidentja Vjosa Osmani ka thënë të premten që në rast se nuk do të ketë marrëveshje për formimin e qeverisë së re në seancën e së dielës të Kuvendit, atëherë do t’i ftojë partitë për të parë nëse ndonjëra prej tyre mund t’i sigurojë 61 votat e nevojshme.
Përfaqësues të subjekteve kryesore politike, PDK-ja dhe LDK-ja kanë theksuar se nuk i kanë numrat për ta bërë Qeverinë, në rast se mandatari s’i siguron votat në herën e parë.
E Kurti rrezikon të bëhet mandatari i parë që dështon të bëhet kryeministër.
Në të gjitha proceset e tjera të formimit të qeverisë që nga viti 2001, mandatarët janë zgjedhur me shumicë votash me të parën në propozim: Bajram Rexhepi (2002), Ramush Haradinaj (2004), Bajram Kosumi (2005), Agim Çeku (2006), Hashim Thaçi (2008, 2010), Isa Mustafa (2014), Ramush Haradinaj (2017), Albin Kurti (2020, 2021), Avdullah Hoti (2020).
Seanca për Qeverinë mbahet të dielën me fillim prej orës 10:00. Zgjedhjet ishin mbajtur më 9 shkurt.