Gati 5 muaj nuk u kanë mjaftuar Qeverisë e Kuvendit që të funksionalizojnë Organin Shqyrtues të Prokurimit, i cili është i paralizuar, pa bord, qysh prej muajit mars. Zgjedhja e anëtarëve të këtij institucioni nuk pritet të bëhet para muajit shtator. Deri tani janë 600 tenderë të bllokuar që nuk po mund të nënshkruhen për shkak të ankesave. E gjendja pritet të keqësohet si pasojë e zgjedhjeve lokale për shkak që komunat mund të nënshkruajnë tenderë me gjithë shkeljet për të mos i lënë projektet në gjysmë
Shtatori është periudha më e hershme kur një prej institucioneve më të rëndësishme, Organi Shqyrtues i Prokurimit, do të mund të funksionalizohet sërish.
Qeveria e Kuvendi e kanë lënë institucionin që konsiderohet “gjykatë e tenderëve” gati katër muaj jashtë funksionit. E deri tash janë grumbulluar mbi 600 ankesa për tenderë, rrjedhimisht është bllokuar nënshkrimi i 600 kontratave.
Anëtarët e OSHP-së votohen nga Kuvendi i Kosovës.
Të enjten është seanca e fundit para se ky institucion të shkojë në pushim veror.
Përderisa agjenda e seancës është bërë publike, të enjten deputetët do të vendosin vetëm për Formimin e Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e kryetarit dhe katër (4) anëtarëve të Bordit në Organin Shqyrtues të Prokurimit, por jo votimin e tyre.
Votimi do të bëhet në ndonjë seancë tjetër.
Isuf Zenja që është njohës i prokurimit publik, ka deklaruar se institucionet vendore tashmë janë vonuar në adresimin e paralizës së këtij institucioni.
“Qeveria dhe Kuvendi është dashur që procedurat t’i fillojnë para se t’u skadojë mandati. Për më tepër, kemi pasur mungesën e dy anëtarëve për disa vjet të Bordit të OSHP-së. Kështu që edhe bordi paraprak ka qenë i pakompletuar. Institucionet definitivisht janë vonuar shumë në përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të OSHP-së”, ka thënë ai.
E sipas tij, në kohë fushate për zgjedhjet lokale komunat, pavarësisht që OSHP-ja është e paralizuar, do të tentojnë të nënshkruajnë tenderë për të përfunduar projekte e kjo, sipas tij, paraqet rrezik.
“Ka pasur disa komuna që realisht i kanë lidhur kontratat pa pasur vendim të OSHP-së, por ka edhe institucione të tjera që presin të kompletohet bordi”, ka thënë ai.
Ligjërisht Qeveria e Kosovës duhet të dërgojë nga dy emra në Kuvend për pesë anëtarë të Bordit, e pastaj Kuvendi t’i vazhdojë procedurat e tjera.
“Kryetari dhe anëtarët e KRPP-së propozohen nga Qeveria dhe emërohen nga Kuvendi. Gjatë propozimit të personave në fjalë Qeveria duhet t’i respektojë kërkesat për anëtarësim, të specifikuara në paragrafët 3. dhe 4. të këtij neni”, thuhet në paragrafin 2 të nenit 89 të Ligjit të Prokurimit Publik.
“Qeveria dhe Kuvendi duhet të sigurojnë që çdo person i propozuar për anëtar të KRRP-së të përmbushë njërin nga kriteret në vijim: (i) ai të jetë jurist, ekonomist ose profesionist tjetër me diplomë universitare dhe përvojë të konsiderueshme në prokurim ose përvojë tjetër përkatëse, ose (ii) ai të ketë diplomë universitare në fushën e inxhinierisë ose arkitekturës dhe përvojë të konsiderueshme në ekzekutimin e projekteve të punëve”, thuhet në këtë ligj.
OSHP-ja ka mbetur pa bord prej 31 marsit. Paraprakisht janë hapur dy konkurse për zëvendësimin e anëtarëve të saj. Proceduralisht një ankesë që nga data e pranimit në OSHP duhet të marrë përgjigje brenda 34-ditësh.
Në vitin 2016, kur OSHP-ja pati mbetur pa bord rreth 6 muaj, të gjitha ankesat që nuk kishin marrë përgjigje brenda kësaj periudhe nuk ishin trajtuar fare nga bordi i ri, ndërsa tenderët pavarësisht shkeljeve ishin nënshkruar.