Arbëri

Mbi 200 milionë euro të bllokuara, OSHP pa bord edhe për 4 muaj të tjerë

Së paku edhe për katër muaj llogaritet që Organi Shqyrtues i Prokurimit të jetë pa bord, pas mosmiratimit të kandidatëve nga deputetët të hënën.

Nga shoqëria civile thonë se numri i ankesave të pashqyrtuara pritet të rritet e njëherësh edhe numri i projekteve të parealizuara shkaku i tyre.

Agon Hysaj, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se në mungesë të bordit të OSHP-së, rrezikohet nënshkrimi i kontratave të dëmshme.

“Ndikimi është shumë i madh pasi këtu flitet në përgjithësi për tenderë në vlerë të madhe dhe nëse llogarisim afër 600 ankesa që deri tani janë të pashqyrtuar vlera e parashikuar e të gjitha këtyre ankesave është mbi 200 milionë euro, që do të thotë mbi 200 milionë euro janë të bllokuara dhe nuk mund të shfrytëzohen për momentin”, ka thënëAgon Hysaj, hulumtues në KDI.

Nga gjykata e tenderëve i kanë thënë KOHËS se që nga fillimi i prillit e deri në fund të nëntorit kanë pranuar 541 ankesa. E për të cilat, sipas OSHP-së, nuk mund të merret vendim, në mungesë të bordit.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit sqaron se pasi ankesa të kompletohet dhe plotëson kushtet për të hyrë në shqyrtim, pa vonesë autorizohet eksperti shqyrtues për trajtimin e asaj ankese dhe brenda afatit ligjor eksperti dorëzon raportin e ekspertizës, ku me këtë raport njoftohen palët në procedurë. Procedura e shqyrtimit dhe vendimmarrjes ngec në këtë fazë pasi që OSHP nuk ka Bord për të marrë vendim për atë ankesë”, thuhet ndër të tjera në përgjigjejn e OSHP-së.

Pas mosmiratimit të kandidatëve për bord të OSHP-së, i gjithë procesi kthehet në pikën zero.

Nga Qeveria e Kosovës kanë bërë të ditur se ende nuk janë njoftuar zyrtarisht nga Kuvendi për procedurat e përzgjedhjes së bordit të OSHP-së.

“Ne ende nuk kemi pranuar njoftim zyrtar nga Kuvendi lidhur me procedurën e përfunduar për përzgjedhjen e anëtarëve të OSHP-së. Pasi të kemi pranuar një njoftim zyrtar, ne do të fillojmë menjëherë procedurat e rekrutimit. Afatet për kohëzgjatjen e këtij procesi janë të përcaktuara në Ligjin për Prokurim Publik dhe ne patjetër se do t’i respektojmë ato. Këtu duhet potencuar edhe obligimin e KGJK-së që të caktojë një komision apo panel prej 3 gjyqtarëve që do të bëjë vlerësimin e kandidatëve dhe të njëjtit t'ia propozojë Kuvendit për votim. Për ne, kompletimi dhe funksionalizimi i bordit të OSHP-së është me interes të lartë, marrë parasysh rëndësinë e këtij institucioni”, është shprehur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Në seancën e së hënës, përveç OSHP-së, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur që të zgjedhë edhe një anëtar të bordit të BQK-së, derisa zgjedhja e atyre të Këshillit për Miniera dhe Minerale u përcoll më akuza të shumta.

Opozita akuzoi pushtetin se përmes bordeve, zgjedhjes e moszgjedhjes së anëtarëve të tyre, është duke “kapur institucionet e pavarura”.

“Tash jo që po ka një logjikë të c`kapjes, por një kapje e ulët dhe e cila po lë shije të keqe, po prish edhe raportet edhe me miqtë dhe partnerët e tjerë”, ka deklaruar Armend Zemaj, deputet i GP të LDK-së.

“Këtu është vetëm një emër dhe mbiemër, tendencë klasike e kapjes së institucioneve me një shumicë parlamentare”, ka shtuar Besnik Tahiri, shef i GP të AAK-së.

Akuzat e tilla u mohuan nga partia në pushtet, Vetëvendosje.

Punimet e seancës të mbajtur të hënën janë mbyllur me zgjedhjen e 8 anëtarëve të Radiotelevizionit të Kosovës, derisa për zgjedhjen e një anëtari nga komuniteti serb do të shpallet konkursi.