541 është numri i ankesave që i ka pranuar Organi Shqyrtues i Prokurimit që nga 1 prilli i këtij viti e deri më 30 nëntor. Por në mungesë anëtarëve të Bordit të OSHP-së, ankesat për këto aktivitete të prokurimit nuk mund të shqyrtohen. Nëntë prej tyre janë vetëm në Komunën e Obiliqit e që kalojnë shifrën e 1 milion eurove. Zyrtarët komunalë alarmojnë se këto projekte rrezikojnë të mos realizohen e rrjedhimisht edhe t’u humbin këto mjete
Projekte të shumta që janë paraparë të realizohen sivjet mund të mos fillojnë fare gjatë vitit 2021.
Ankesat e shumta që janë deponuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit që nga prilli i këtij viti nuk ka kush t’i shqyrtojë, pasi ky institucion ka mbetur pa kryetar dhe pa asnjë anëtar të Bordit.
Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë Bordin e ri të OSHP-së në mbledhjen e 23 nëntorit, pasi në këtë pikë kishin votuar vetëm 52 deputetë.
Zyrtarët e OSHP-së në një përgjigje me shkrim kanë thënë se në rastet kur ka ankesa në këtë institucion, atëherë mungesa e Bordit e pengon zhvillimin e atij aktiviteti të prokurimit dhe i njëjti pezullohet.
“Organi Shqyrtues i Prokurimit ju njofton se Kuvendi i Republikës së Kosovës me vendimin Nr. 05-V-261, të datës 30 mars 2016, ka emëruar kryetarin dhe dy anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit për një mandat pesë (5) vjeçar, ashtu siç e parasheh Ligji për Prokurim Publik i Republikës së Kosovës, ku vendimi i lartcekur ka hyrë në fuqi ditën e miratimit nga Kuvendi. Andaj duke pasur parasysh faktin se më 30.03.2021, Bordi ka mbushur pesë (5) vjet nga emërimi i tyre, ju sqarojmë se OSHP-ja nga data 30.3.2021 është pa kryetar dhe pa asnjë anëtar Bordi. - Organi Shqyrtues i Prokurimit sqaron se mungesa e Bordit pengon zhvillimin e një aktiviteti të prokurimit, sepse nëse ka ankesë në OSHP lidhur me një aktivitet të prokurimit, ky aktivitet i prokurimit sistematikisht pezullohet. - Organi Shqyrtues i Prokurimit sqaron se nga 01.4.2021 deri më 30.11.2021 OSHP ka pranuar 541 ankesa. Organi Shqyrtues i Prokurimit sqaron se pasi ankesa të kompletohet dhe plotëson kushtet për të hyrë në shqyrtim, pa vonesë autorizohet eksperti shqyrtues për trajtimin e asaj ankese dhe brenda afatit ligjor eksperti dorëzon raportin e ekspertizës, ku me këtë raport njoftohen palët në procedurë. Procedura e shqyrtimit dhe vendimmarrjes ngec në këtë fazë pasi që OSHP nuk ka Bord për të marrë vendim për atë ankesë”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së.
541 ankesa për aktivitetet e prokurimit që gjenden në OSHP vazhdojnë të mbesin “në proces”.
E për shkak të kësaj, shumë projekte të Komunës së Obiliqit rrezikojnë të mos fillojnë fare sivjet.
Këtij institucioni mund edhe t’i humbin këto mjete për projektet që është paraparë të realizohen nga granti qeveritar.
“Komuna e Obiliqit aktualisht ka në OSHP 4 aktivitete të prokurimit, të cilat gjenden në shqyrtim e që normalisht vonesa në shqyrtimin e tyre tash e sa kohë po shkakton rrezik në realizimin e këtyre projekteve, projekte këto të cilat janë të rëndësisë së veçantë për qytetarët e Obiliqit”, ka thënë Arba Mirena, zyrtare për marrëdhënie me publikun në Komunën e Obiliqit.
Por në uebfaqen e Organit Shqyrtues të Prokurimit shihet se që nga 1 prilli e deri tash në proces vazhdojnë të mbesin nëntë aktivitete të prokurimit të Komunës së Obiliqit, vlera e të cilave është paraparë të jetë 1 milion e 222 mijë e 164 euro.
Vetëm për laboratorin mobil janë paraparë 350 mijë euro, kurse për ndërtimin e një parku 276 mijë e 906 euro. Ndërkohë, komunat i kanë më pak se një muaj për të nënshkruar kontrata.