Arbëri

Komuna e Prizrenit numëron 19 projekte të bllokuara në OSHP

Komuna e Prizrenit konsideron se 19 aktivitete të prokurimit i ka të bllokuara, pasi Bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit nuk është funksional për t’i shqyrtuar ankesat e operatorëve ekonomikë.

Sipas zyrtarëve komunalë, 7 lëndë janë të këtij viti, 10 të tjera të vitit 2020 dhe 2 lëndë të vitit 2019 që presin formimin e Bordit të OSHP-së përkatësisht nxjerrjen e vendimeve nga ky organ.

Shefi i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit, Isa Osmankaj duke prezantuar raportin e punës për periudhën janar-gusht 2021 para anëtarëve të Kuvendit të Komunës, ka theksuar se prej numrit të përgjithshëm të aktiviteteve të iniciuara 60 sosh nuk janë përfunduar gjatë periudhës raportuese.

“Për 16 procedura nuk është bërë hapja e ofertave, ndërsa oferta të hapura e që kanë qenë në fazën e vlerësimit kanë qenë gjithsejtë 44 procedura. Nga këto projekte të papërfunduara, 7 prej tyre të këtij viti ndodhen në procesin e ankimimit në OShP. Ne i konsiderojmë si procese të bllokuara. Vlen të ceket se procesit të ankimimit në OShP i janë nënshtruar edhe 12 lëndë të viteve paraprake, 2 të vitit 2019 dhe 10 të vitit 2020, të cilat për mungesë të Bordit të OShP-së kanë mbetur të bllokuara në këtë institucion. Janë projekte bukur me vlerë por ne mbi ligjin s’mund të dalim, kështu që duhet me prit formimin e Bordit, nxjerrjen e vendimit nga OShP-ja dhe tek atëherë me i procedua tutje. Në mungesë të Bordit të OShP-së kanë mbetur pa përgjigje”, ka thënë Osmankaj.

Sipas tij, Komuna e Prizrenit në periudhën janar-gusht të këtij viti ka iniciuar 140 projekte për prokurim, ndërkohë që pas zhvillimit të procedurave përkatëse janë lidhur 85 kontrata, me vlerë prej 5.85 milionë euro.

“Komuna e Prizrenit për periudhën janar-gusht 2021 ka iniciuar gjithsej 140 projekte, të cilat sipas natyrës janë: 1. Punë, 2. Shërbime dhe 3. Furnizime. Janë nënshkruar deri me tani gjithsejtë 85 kontrata dhe vlera e përgjithshme e kontratave të nënshkruara me sasi është 5.855.819.25 euro. Gjatë kësaj periudhe janë proceduar gjithsejtë 5 aneks kontrata 3 prej tyre janë nënshkruar dhe 2 janë në procedurë”, ka njoftuar Osmankaj.

Lidhur me këto ka shtuar se numri i ankesave të parashtruara në këtë vit fiskal është gjithsejtë 40, ku përfshihen edhe ankesat e bëra në procedurat e vitit 2020 dhe në procedurat e vitit 2021.

“Në procedurat e këtij viti janë ankimuar gjithsejtë 14 procedura, ndërsa 26 ankesa janë për procedurat e vitit 2020 e të cilat ende nuk kanë marr zgjidhje”, ka bërë të ditur Osmankaj.

Ai ka shtuar se Zyra e Prokurimit ka shqyrtuar 63 kërkesa të operatorëve ekonomikë bazuar në nenin 108/A të Ligjit për Prokurimin Publik dhe se ka nxjerrë gjithsej 63 vendime lidhur me këto kërkesa.

“Nga këto kërkesa, 93 për qind e vendimeve kanë në dispozitiv refuzimin e kërkesës si të pabazuar, 4 për qind janë aprovuar si pjesërisht të bazuara dhe 3 për qind janë hedhur si të jashtë afatshme”, është shprehur Osmankaj.

Pas paraqitjes së tij, kuvendari i AAK-së, Alush Shala ka kërkuar sqarime lidhur me tenderët e negociuar pa publikimin e shpalljes së njoftimit për kontratë dhe nëse ka procese gjyqësore për aktivitetet e prokurimit të Komunës së Prizrenit.

Osmankaj ka pohuar se Prizreni ka zhvilluar 7 procedura të tilla dhe se nuk ka procese gjyqësore lidhur me prokurimin, pasi që një padi e kësaj natyre është hedhur poshtë në organet e drejtësisë.

Ndërkaq Simir Krasniqi i PDK-së është interesuar për numrin e lartë të lëndëve që shkojnë në OShP dhe në qoftë se këtu ka ndikim presioni eventual nga pushtetarët.

Osmankaj ka sqaruar se vitin e kaluar, Prizreni ka qenë ndër komunat me më së shumti ankesa kundër procedurave të prokurimit, por se ato kanë qenë të pabazuara në shumicën e rasteve, dhe ka mohuar ushtrimin e presionit nga Ekzekutivi komunal.

Shukri Quni i Nismës ka kërkuar shpjegime për masat që ndërmerren ndaj operatorëve që nuk i kryejnë punët sipas kontratës së nënshkruar. Shefi i Zyrës së Prokurimit ka theksuar se kjo zyre vetëm i zhvillon procedurat e prokurimit, derisa realizimi i kontratës i takon drejtorive përkatëse që duhet t’i mbikqyrin projektet. Sipas tij ka pasur masa ndaj operatorëve, që kanë shkuar deri te ndërprerja e kontratës në raste të caktuara. Ilir Baldedaj i AAK-së ka pyetur nëse kontrata për efiçiencë të energjisë është shkëputur për shkak të dyshimeve për falsifikimin e dokumenteve. Osmankaj ka pohuar se kontrata përkatëse i është nënshtruar ekspertizës nga Prokuroria dhe auditimi, dhe se menaxhmenti i Komunës ka ardhur në përfundim që mos ta ndërpresë kontratën derisa lënda të trajtohet nga organet e drejtësisë, të cilat duhet ta japin një verdikt për këtë çështje.

Planifikimi i prokurimit për vitin fiskal 2021, i publikuar në ueb faqen e Komunës së Prizrenit parasheh prokurimin për 156 kontrata, me vlerë mbi 12 milionë euro.