Arbëri

Edhe sivjet prindërit subvencionohen për blerjen e teksteve shkollore

Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci

Foto: Alban Bujari

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se edhe sivjet tekstet shkollore do të ofrohen përmes subvencionimit të prindërve. 

Nagavci në një konferencë për media të mbajtur të martën ka thënë se për nxënësit nga klasa e 1-5 vlera e subvencionimit do të jetë 80 euro, ndërsa për ata nga klasa 6-9 vlera do të jetë 110 euro. 

Aplikimi për subvencionim do të hapet nga nesër (e mërkurë).

“Ne mendojmë që proceduralisht do të jetë më i lehtë aplikimi pasi prindërit tashmë veçse i kanë llogaritë”, është shprehur Nagavci.

Edhe vitin e kaluar nxënësit janë furnizuar me tekste shkollore përmes subvencionimit të prindërve.
Kjo formë është kritikuar dhe e kundërshtojnë edhe tash përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK).

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, ka thënë se vështirësitë që mund të prodhohen, mund të nxisin kërkesa nga mësimdhënësit për zhvillimin e grevave.

Formën e blerjes së teksteve shkollore përmes subvencionimit të prindërve e kanë kundërshtuar edhe në Këshillin e Prindërve të Kosovës.

Besnik Dragusha, kryetar i Këshillit, ka thënë se ka kërkuar nga Ministria e Arsimit që furnizimi me tekste shkollore të bëhet përmes tenderit të negociuar me shtëpitë botuese dhe jo përmes subvencionimit të prindërve.

Vitin e kaluar procesi mësimor filloi më 1 shtator, por sipas drejtorive të arsimit, disa nxënës nuk u furnizuan me tekste shkollore deri në muajin dhjetor. E Ministria e Arsimit konfirmoi se disa prindër nuk u subvencionuan deri në muajin prill. 

Vitin e shkuar, pasi nuk u arrit marrëveshje me shtëpitë botuese, Ministria e Arsimit vendosi që blerja e librave të bëhet nga vetë prindërit me subvencionim të ministrisë.

Prindërit janë subvencionuar për tekste të secilit fillorist me 80 euro, ndërsa për nxënësit e nivelit të mesëm të ulët me nga 30 euro.

Sipas ministres së Arsimit, për këtë proces janë shpenzuar mbi 11 milionë euro.