Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk mund të gabojë me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në një intervistë për A2CNN, Kurti ka theksuar se Serbia nuk mund t’ia kërkojë Kosovës zbatimin e kësaj pike në një marrëveshje që vetë e ka shkelur.
“Asociacioni është i shprehur në dy marrëveshje në mesin e 39 marrëveshjeve që kanë bërë pararendësit e mi me Beogradin. Atje janë marrëveshjet, nuk e mohoj ekzistencën e tyre. Por marrëveshja e vitit 2013 e nënshkruar mes Thaçit dhe Daçiç, i ka 15 pika, 6 prej tyre janë për Zajednicën. Marrëveshjen më të dashur që ka Serbia kërkon 6 nga 15 pika që ta respektojë dhe ta zbatojmë ne. 60% që e ka shkelur, nuk do që ta zbatojë. Në 2022 Beogradi dha urdhër në veri për zyrtarët që të tërhiqen nga sistemi i Kosovës. Nuk mund të kërkosh nga unë të zbatoj 40% e marrëveshjes kur vetë ke shkelur 60%”, ka thënë ai.
Më tej, Kurti ka folur dhe për draftin e propozuar nga emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për Asociacionin. Ai ka theksuar se duhet të dërgohet në Komisionin e Venecias.
“Unë kam shprehur ofertën time, e cila duhet të pranohet fillimisht në parim. Unë nuk mund të sjellë frymën dhe germën pa u pranuar ofertën. Ata edhe më tutje insistojnë që duhet të kemi një normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, nëse e heqin nga ekuacioni, atëherë merremi vetëm me ndërkombëtarët. Dokumentin e tyre, Lajçak dhe komisionerët e tjerë evropianë ta çojnë draftin e tyre në Komisionin e Venecias. Dokumentin tim do e çoj në Kushtetuese. Nëse Vuçiq është pajtuar me marrëveshjen bazike, përse të mos e pranoj unë. Por nëse hiqet Asociacioni, e shkatërrohet paketa, ashtu nuk pranoj. Ne jemi në të drejtën tonë. Presioni duhet të ishte në Beograd”, ka deklaruar Kurti duke shtuar se drafti që i është dhënë është “non paper”.
Kurti nuk është përgjigjur kur u pyet rreth moskoordinimit të institucioneve për letrën që ministrja e Punëve të Jashtme e dërgoi në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Ai ka thënë se nuk “është më aktuale kjo temë” ndërsa ka treguar pritjet për seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave për anëtarësimin e Kosovës.
Ndërkaq, ka deklaruar se Kosova është duke u përgatitur që serbët të mendohen dy herë nëse do sulmojnë. Kurti ka përmendur shtimin e buxhetit për ushtrinë, shtimin e numrit të ushtarëve, por edhe blerjen e armatimeve nga SHBA, por dhe nga Turqia.
Kurti për ftohjen e raportit me Ramën: Na ndajnë qëndrimet për Beogradin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për “A2 CNN” ka folur për ftohen e marrëdhënieve me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Ai ka thënë se krisja kryesore ka ndodhur për shkak të qëndrimeve ndaj Serbisë dhe “Ballkanit të Hapur”.
“E kemi atë dallimin për çështjen e Ballkanit të Hapur, e qëndrimit karshi Beogradit e me radhë por në kuptimin e afrimit, integrimit Kosovë-Shqipëri unë besoj se janë dramatizuar si karikaturë dallimet, ndërkohë që gjërat pozitive janë heshtur disi”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se këto raporte nuk duhet merren aq në konsideratë, nëse shihet niveli i bashkëpunimit mes dy qeverive dhe suksesin e 58 marrëveshjeve të firmosura.
“Ne për këto tri vjet i kishim dy mbledhje të përbashkëta të qeverive. Unë mendoj se duhet t’i kishim së paku 3 mbledhje. Kemi bërë 58 marrëveshje bilaterale që janë zbatuar shumë mirë. Kemi hapur 26 vendkalime kufitare për rreth 200 mijë banorë në të dy anët e kufirit. Kemi bërë tregun e përbashkët energjetik ALPEX. I kemi dy zyra doganore të Kosovës në Porto Romano dhe në Durrës. Kemi nënshkruar marrëveshjen për hekurudhën Prishtinë-Durrës, që me gjasë përfshin një segment jetik për aspektin historik kulturor të kombit shqiptar, e që është ai Gjakovë-Shkodër.”
Edhe pse nuk janë kursyer aspak në gjuhën me të cilën i janë referuar njëri-tjetrit dhe margjinat e komunikimit bilateral s’kanë qenë fort pozitive, Kurti vlerëson faktin se bashkëpunimi mes ministrave të dy vendeve ka qenë më i miri se çdo qeveri e mëparshme.
“Në kuptimin e punëve të kryera, rezultateve të arritura mendoj se jemi më mirë se të gjitha qeveritë e mëhershme. Edhe ndonjëherë kur është dukur që ne si dy kryeministra nuk i kemi marrëdhëniet e shkëlqyeshme kjo nuk ka vlejtur asnjëherë për ministrat.”
Një shtrëngim i ftohtë duarsh dhe ngurrimi i kryeministrit shqiptar Edi Rama për t’u ngritur nga karrigia ku ishte ulur për të takuar Albin Kurtin në Samitin e Kotorrit më 16 Maj, nxori edhe më tej në pah raportin e ftohtë mes dy liderëve.
Kurti ka dhënë sqarimet për këtë.
“Ajo ka qenë dita e dytë në Kotorr. Ne kemi folur ditën e parë, një ditë më herët. Nuk është se shiheshim aty për herë të parë në atë konferencë. Ka qenë një darkë e përbashkët. Po tani pse nuk është ngritur aty nuk e di. Më besoni unë as jam marrë dhe as që merrem me këto gjëra”, tha Kurti.
Kurti tha se është e rëndësishme që të vijojë bashkëpunimi shumë i arrirë ne terren mes dy qeverive, për të sjellë sa më afër shqiptarët në të dy anët e kufirit dhe për të intensifikuar shkëmbimet tregtare.
Kurti u vendos edhe përballë faktit se Edi Rama këmbëngul se nuk e ka falur për ndërhyrjen në zgjedhjet në Shqipëri me regjistrimin e siglës së Vetëvendosjes për të garuar.
“Unë kisha thënë që mbajeni analizën politike të gjithë shqiptarët kudo që janë, mbajeni mendimin kritik por mos i shikoni raportet mes politikanëve, në këtë rast dy kryeministrat me syrin e Big Brother”, tha ai.
Kurti thotë se asnjëherë nuk e ka fyer Vuçiqin, tregon tri versionet e tij
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se përgjigjja pse nuk po respektohen marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë është në Beograd. Ka shtuar se presidenti serb po synon ta shkatërrojë Aneksin e Ohrit dhe marrëveshjen e Brukselit, që ai (Kurti) po përpiqet ta mbrojë.
I pyetur se si janë përballjet me Vuçiqin në të njëjtën tryezë në Bruksel, Kurti ka thënë se ai asnjëherë nuk ka përdorur gjuhë të ashpër apo fyese ndaj Vuçiqit.
“U bënë shumë aso tryezash. Në ato takime unë kam respektuar gjithmonë rregullat e negociatave. Gjuha e dialogimit është anglishtja dhe gjatë këtyre 3 viteve me këto takime, nuk mund të gjeni asnjë moment të vetëm, ku unë kam përdorur ndonjë fjalë që nuk është e përshtatshme edhe për fëmijët, e që nuk mund të thuhet për palën tjetër”, ka thënë ai për A2CNN.
Për Kurtin, gjuha e përdorur nga Vuçiqi kur flet për mediat dhe popullin e tij, është e kundërt nga ajo që përdor kur diskuton ndarazi me ndërkombëtarët.
“Besoj që ajo çfarë thotë publikisht dhe ajo çka ka deklaruar nuk janë të ndryshme, mirëpo ajo çfarë u thotë ndërkombëtarëve në takime ndarës me atë, duket se ata shohin një Vuçiq tjetër e andaj janë sjellë dhe më butë me të”.
Sipas tij janë tri versione të Vuçiqit, të cilat dalin në pah në situata dhe raporte të ndryshme.
“Është e qartë se nuk ka veç një Vuçiq: një është kundër Kosovës, që është më i vërteti. Dhe janë dy të tjerë, një është për konsumin e brendshëm të popullsisë në Serbi dhe një tjetër për politikanët dhe diplomatët ndërkombëtarë. Por kjo karshi Kosovës shprehet si publikisht si në takime, nuk mund të them se është e ndryshme”.