Më shumë se 800 fluturime janë anuluar dhe mbi 2,300 janë shtyrë në Shtetet e Bashkuara që nga tetori, ndërsa kriza e mbylljes së qeverisë federale po hyn në muajin e dytë – duke u bërë tashmë mbyllja më e gjatë në historinë amerikane.
Republikanët dhe demokratët po akuzojnë njëri-tjetrin për bllokadën që ka paralizuar institucionet federale dhe po shkakton pasoja të mëdha në transportin ajror. Për shkak të mungesës së buxhetit, rreth 13 mijë kontrollorë ajrorë dhe 50 mijë punonjës të Administratës së Sigurisë së Transportit (TSA) po punojnë pa pagesë, pasi presidenti Donald Trump dhe demokratët në Kongres nuk kanë arritur marrëveshje për financimin e qeverisë.
Si pasojë, rreth 40 aeroporte janë prekur nga vonesa dhe anulime, duke shkaktuar rrëmujë të madhe në udhëtimet brenda dhe jashtë vendit. Linjat ajrore po përpiqen të sistemojnë udhëtarët në fluturime alternative, por shumë prej tyre kanë mbetur të bllokuar, ndërsa të tjerë po anulojnë udhëtimet e planifikuara.
Mbyllja e qeverisë, që filloi më 1 tetor, ka ndikuar edhe në programet e ndihmës ushqimore, ndërsa qindra mijëra punonjës federalë mbeten pa paga.
Republikanët, që kontrollojnë Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë, fajësojnë demokratët për ngërçin, duke kërkuar miratimin e një rezolute që do të vazhdonte financimin aktual. Nga ana tjetër, demokratët refuzojnë të votojnë për rihapjen e qeverisë pa investime të mëdha në uljen e kostove të kujdesit shëndetësor.